Drejtori i Shkollës së Magjistraturës dhe njëherazi kryesuesi i grupit të punës për hartimin e Kodit të ri Penal, Arben Rakipi, ka zbuluar disa nga ndryshimet kryesore që pritet të sjellë ky draft, duke theksuar se për disa vepra penale do të aplikohet një trajtim më i lehtë nga drejtësia.
Gjatë fjalës së tij në tryezën e dytë teknike për prezantimin e draftit, Rakipi theksoi se një ndër risitë kryesore është lehtësimi i dënimit për shpërndarësit e drogës, në rastet kur ata bashkëpunojnë me drejtësinë.
“Shpërndarësit e rrugës, kur nuk është për përdorim vetjak, ne mendojmë që të mos penalizohen, me kushtin që të tregojnë se ku e kanë marrë drogën, pra burimin.” u shpreh Rakipi, duke shtuar se kjo vlen vetëm në raste të sasive të vogla, rreth 5 deri në 10 gramë.
Gjithashtu, ai theksoi se një tjetër kategori që do të përfitojë nga ndryshimet është ajo e autorëve të veprave më të lehta penale, të cilët do të mund të trajtohen sipas parimeve që aplikohen aktualisht për të miturit.
“Nëse një person kryen një vepër penale që nuk është e rëndë, mund të përfitojë të njëjtin trajtim si i mitur. Kjo nënkupton më shumë masa edukative dhe më pak dënim penal.” shtoi Rakipi.
Ndër veprat që pritet të preken nga ky ndryshim është edhe vjedhja, për të cilën drafti synon një qasje më pak ndëshkuese, kur rrethanat nuk janë të rënda dhe autori bashkëpunon me autoritetet.