“Drejtësia që nuk erdhi kurrë” Historia e një nëne 80-vjeçare nga Dhërmiu/ Endet për 8 vite në kërkim të pronës së grabitur nga mafia dhe drejtësia Vlorë

Në një qoshe të shtëpisë së saj modeste në Dhërmi, ulur pranë një fotografie të burrit të saj të ndjerë, jeton e harruar nga shteti zonja Androniqi Koka, 80 vjeç. Sytë i janë mjegulluar nga vitet, por dhembja e padrejtësisë nuk i është fashitur. Ajo nuk qan vetëm për bashkëshortin e saj, Marko Koka, që ndërroi jetë me zemër të thyer, por për një padrejtësi që e ka ndjekur familjen e saj për më shumë se një dekadë.

Marko Koka ishte një burrë autokton i Dhërmiut, i lindur dhe rritur në ato toka që brezat i kishin trashëguar me mund dhe djersë. Një burrë i qetë, punëtor dhe i ndershëm, që nuk kërkoi kurrë asgjë që nuk i takonte.

Por kur shkeli për herë të parë nëpër zyrat e shtetit për të kërkuar pronën e familjes së tij në qytetin e Vlorës, që u grabit nga të fortët e sistemit, ai nuk e dinte se po hynte në një rrugë pa dalje.Që nga viti 2018, familja Koka endet dyerve të prokurorisë dhe gjykatave të Vlorës, në kërkim të asaj që u përket me ligj, me dokumente, dhe me gjak.

Por në vend të së drejtës, hasën në një mur të fortë, të quajtur “drejtësia e kapur” një sistem ku më i forti dhe më i pasuri mbron njëri-tjetrin, ndërsa qytetarët e ndershëm dhunohen ligjërisht.Prona e tyre është regjistruar me dokumente të rregullta që nga koha e viteve ’90, është përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga individë të lidhur me “mafien e pronave” në qytetin e Vlorës, një rrjet i strukturuar që, bashkëpunon ngushtë me persona brenda prokurorisë, gjykatës dhe zyrës së kadastrës.

Familja Koka, ia dha me qira një qytetari në mirëbesim, pasi kishin lidhje gjinie duke mos e imagjinuar kurrë se do të kthehej në viktimë e një skeme të pastër grabitjeje me bekimin e shtetit. Qiraxhiu, në bashkëpunim me një rrjet të strukturuar individësh brenda institucioneve shtetërore përfshirë zyrtarë të kadastrës, juristë, noterë dhe njerëz me pushtet e çoi pronën në legalizim si të ishte e tij.Brenda pak kohe, prona e marrë me qira u kthye në pronë të regjistruar në emër të grabitësit, ndërsa familja Koka, me dokumente të rregullta, mbeti jashtë.

Prej vitit 2018, ata kanë trokitur në dyert e drejtësisë nga prokuroria te gjykatat pa mundur të gjejnë zgjidhje. Marko Koka, kryefamiljari, ndërroi jetë me dhimbjen e padrejtësisë dhe sot, bashkëshortja e tij 80-vjeçare, zonja Androniqi, endet në kërkim të së drejtës, ndërsa hajduti gëzon pronën, i mbrojtur nga heshtja dhe korrupsioni i thellë që ka kapur drejtësinë në Vlorë.

Disa institucione brenda sistemit të drejtësisë po kërkojnë që mediat dhe avokatët të heshtin dhe të mos kritikojnë gjyqtarët e prokurorët, duke argumentuar se kjo “helmon” opinionin publik dhe dobëson besimin në drejtësi.

A do ta pyesë dikush ndonjëherë zonjën Androniqi se kush e ka helmuar më shumë gjatë gjithë kësaj kohe të dhimbshme? Nuk është vetëm banda e hajdutëve që i mori pronën, por më shumë e ka helmuar banda e drejtësisë, ajo që në vend që të jetë mbrojtëse e ligjit, u kthye në grabitësja më e madhe.

Prokuroria dhe gjykata heshtën përballë padrejtësisë, vonuan pafund çështjen dhe shpesh dolën në mbrojtje të krimit. Kjo heshtje dhe injorim i vërtetë i vuajtjeve të familjes Koka, u mori jo vetëm pronën, por edhe jetën Markos, burrit dhe kryefamiljarit, dhe shpresën zonjës Androniqi, një nënë 80-vjeçare që ende kërkon drejtësi.

Kjo është një plagë jo vetëm për ta, por për gjithë shoqërinë tonë, sepse ajo shkatërron besimin në drejtësi dhe lë çdo qytetar të ndjehet i pambrojtur përballë krimit të lidhur me pushtetin. Në këtë heshtje të dhimbshme, zëri i tyre duhet të dëgjohet, sepse drejtësia që nuk mbron të pambrojturit, nuk është drejtësi fare.

Zonja Androniqi sot nuk kërkon lëmoshë. Ajo kërkon drejtësi. Ajo kërkon që dikush të dëgjojë zërin e saj, që dikush të mos lejojë që historia e burrit të saj të mbyllet me turp dhe heshtje.A do të dëgjojë kush zërin e kësaj nëne 80-vjeçare? A do të veprojë ndonjë institucion për të hetuar këtë padrejtësi të ulëritshme? Apo do të vazhdojmë të heshtim, derisa të na vjedhin të gjithëve?

Të Fundit