DPSHTRR ka bërë me dije se “Gjurmo lejen e drejtimit” është moduli më i ri online për drejtuesit e automjeteve që janë në pritje dhe kanë një mijë pyetje për marrjen e Lejes së Drejtimit.
Në një status në rrjetet sociale, DPSHTRR thekson se përmes këtij moduli çdo aplikant mund të verifikojë në kohë reale prodhimin e dërgimin e lejes së drejtimit në drejtorinë rajonale apo nënzyrën përkatëse ku ai mund të bëjë tërheqjen, pa patur nevojë për mik apo sekser.
“Rreth 115,000 qytetarë në vit marrin kartonin e ri të Leje Drejtimit, për herë të parë dhe për rinovimet, çdo kategori Leje Drejtimi, pranë 12 drejtorive rajonale dhe 16 nënzyrave anembanë vendit, 1-3 ditë pas aplikimit, përjashtuar Tiranën ku ky shërbim mundësohet brenda 30 minutave!
Për të eliminuar çdo vonesë përtej afateve të programuara dhe çdo risk spekullimi potencial prej: -a erdhi? Pse s’erdhi? A ma shikon pak? A të jap ndonjë gjë të ma sjellësh shpejt, a të kap ndonjë mik a sekser…, DPSHTRR sjell modulin e ri online “GJURMO LEJE DREJTIMIN” në ëëë.dpshtrr.gov.al ku çdo i interesuar verifikon në kohë reale prodhimin dhe dërgimin e Leje Drejtimit të ri në rajonalen apo nënzyrën përkatëse! Kështu i vijmë në ndihmë qytetarëve të mos bëhen pre e asnje sorrollatjeje a vara-vingoje por edhe disiplinojmë shërbimin për shpërndarje në afate!
Brenda Shkurtit do të përfshihen edhe kartonat e CAP, si edhe do të ndërveprohet në vijim edhe me e-albania për pop-up informativ në llogarinë e qytetarit për dokumentat e reja nga DPSHTRR!
Për arsye sigurie personalizimi i Leje Drejtimit kryhet nga Njësia përkatëse në Tiranë dhe kjo e bën të pashmangshme shpërndarjen pas 1-2-3 ditëve në qytetet e tjera sipas largësisë dhe korrierit! Synimi është që të mos zvarritet asnjë qytetar dhe të luftojmë çdo tentativë korruptive a akt abuziv!”, njofton DPSHTRR.