Ditën e djeshme kreu i PS-së Edi Rama shkarkoi ish numrin dy të qeverisë së tij edhe nga drejtimi politik i qarkut të Vlorës, Arben Ahmetaj. “Stop” ka zbuluar disa nga informacionet “më të nxehta” që cuan në shkarkimin e “Tigrit” të qeverisë dhe rënien e tij të shpejtë, drejt fundit.
“Nga maja e Olimpit ku Rama e kishte ngjitur t’i bënte shoqëri Arben Ahmetaj ka marrë dje goditjen e fundit që me gjasë duhet t’i ketë dhembur shumë. Kryetari i socialistëve e largoi ish-krahun e tij të djathtë edhe nga drejtimi politik i Qarkut të Vlorës, pozicion që e mbante prej një viti duke e zhveshur kështu nga çdo funksion ekzekutiv dhe politik që e kishte patur me bollëk. Ahmetaj ka qenë një prej emrave më jetëgjatë të qeverisjes socialiste që nga marrja e pushtetit në 2013-n. Ministër Ekonomie, pastaj Financash, rikthim në kabinet si zv/kryeministër pas tërmetit të 2019. Të njëjtat burime bëjnë me dije se Rama në atë mbledhje ka përdorur tone shumë të ashpra ndaj numrit 2 të tij duke e akuzuar për shitjen e dosjes së inceneratorëve tek opozita në këmbim në shumave të majme apo marrëveshjes që ai të mos vihej në bankën e të akuzuarve. Përpos të gjitha hamendësimeve se çfarë ka ndodhur me Arben Ahmetajn, ajo që duket është se “Tigri” është në rënie të lirë, rënie që nuk dihet se ku ka fundin”.