Domatet, kastravecat dhe specat kryesojnë listën, ja cilat janë 10 ushqimet më të eksportuara shqiptare

Bimët mjekësore, domatet, kastravecët, ftonjtë, ullinjtë, bostanët, lakra, mandarina, ëmbëlsirat dhe pijet ishin produktet bujqësore me vlerën më të lartë të eksportit në vitin 2022, sipas të dhënave nga databaza e FAO-s (Organizata për Ushqimin në Kombet e Bashkuara).

Prodhimet organike të papërpunuara që përfaqësohen kryesisht nga bimët mjekësore shënuan 57 milionë dollarë, vlera më e lartë në grupin e 10 produkteve ushqimore më të eksportuara jashtë vendit. Pas pandemisë, vlera e këtij grupi është dyfishuar, pasi po sipas FAO-s, në vitin 2019 eksportet nga ky grup ishin vetëm 22,2 milionë dollarë.

Në vitin 2022 domatet ishin produkti i dytë më i eksportuar në vend me 26,2 milionë dollarë, por me një rënie rreth 9 për qind ne krahasim me 2019, ku vlera e domateve të shitura jashtë vendit ishte 28,7 milionë USD.

Kastravecët ishin produkti i tretë më i eksportuar në vitin 2022 me një vlerë 22.5 milionë USD me një rritje 130 për qind të vlerës së eksportit në raport me vitin 2019, ku shitjet jashtë vendit në këtë produkt ishin rreth 9 milionë USD.

Ftonjtë dhe specat së bashku kishin një vlerë 16 milionë dollarë, gati me dyfishim në raport me 2019 ku vlera e tyre ishte 8,9 mln USD.

Rritje të fortë ka pësuar eksporti i bostanit me rreth 9 milionë USD më 2022, me rritje 175% në krahasim me vitin 2019.

Lakrat ishin produkti i 7 më i eksportuar më 2022 për nga vlera me një shumë totale 9 mln USD nga 25 mln USD më 2019.

Ndër frutat më të eksportuara më 2022 ishin mandarinat dhe mollët me një vlerë së bashku mbi 16 milionë USD. Në vitin 2019 frutat më të eksportuara ishin mollët dhe luleshtrydhet të dyja me një vlerë tregu 3,4 milionë USD.

Studimet kanë treguar se Shqipëria ka potencial për prodhimin e zarzavateve, sidomos në sera për shkak të klimës që mundëson një sezon më të hershëm. Dalja në treg gati 1 muaj para fqinjëve u siguron fermerëve shitje me vlera më të larta.

Mirëpo mungesa e mbështetjes dhe kostot e larta si prodhimi i bollshëm në tregjet fqinjë ka sjellë problematika këtë vit tek fermerët.

Aktualisht një kilogram domate në serra po shitet me shumicë deri në 35 lekë, por fermerët thonë se çmimi në këtë periudhe duhet të jetë të paktën me 70 lekë në mënyrë që të mbulohen kostot. /Monitor.al

Domatet, kastravecat dhe specat kryesojnë listën, ja cilat janë

Të Fundit