Kryeministri Edi Rama, ishte i pranishëm këtë të hënë në aktivitetin për prezantimin e Identitetit Dixhital, i cili gjatë fjalimit të tij theksoi se Shqipëria tashmë është një vend lider në rajon sa i përket shërbimeve publike dhe inovacionit.
Sipas tij, vendi jonë është përkushtuar inovacionit, duke krijuar një bazë solide për transformimin e çdo sektori, falë inovacionit dhe tanimë edhe falë AI.
“Besojmë se përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale do të mund të krijojmë kushte dhe premisa tërësisht të reja për shërbimin shëndetësor, për mundësinë e kujtdo për të pasur një vëzhgim dhe trajtim cilësor, pavarësisht gjeografisë ku ndodhet, për sistemin arsimor. Po punojmë për të digjitalizuar sistemin e transporteve dhe me radhë.
Po ecim me hapa të shpejtë lidhur me fillimin e zbatimit të projektit të smart city që do të na ndihmojnë të dixhitalizojmë të gjithë sistemin e monitorimit të trafikut në qytetet tona, do na ndihmojë të kemi pamje shumë më mbështetëse sa i përket mbledhjes së të dhënave në raport me ligjshmërinë, luftën kundër kriminalitetit.
Do të kemi një pamje më mbështetëse përsa i përket të dhënave, për rendin publik, luftën kundër kriminalitetit dhe pamje në kohë reale të ecurisë së jetës së përditshme në shkolla. Do të rritet mundësia e prindërve për të ndjekur ecurinë e sjelljes së fëmijëve në shkollë në momente kritike por dhe në përditshmëri. Programi është më kompleks. Ne do ta çojmë Shqipërinë në 2030-n në një nivel krejt tjetër nga ky i sotmi, do ta fuqizojmë qytetarin që t’ia lehtësojmë jetën e përditshme. T’i bëjmë të mundura, me më pak stres ndërveprimet që përndryshe kanë nevojë për më tepër kohë”, tha Rama.