Kryeministri Edi Rama komentoi në një komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale rënien e shifrave të turizmit në këtë sezon në vendin tonë.
Teksa fliste për aksionin e lirimit të hapësirave publike dhe kritikave pse ky aksion zhvillohej në kulmin e sezonit, Rama theksoi se çështja e turistëve nuk lidhet me këtë aksion, por me sjelljen e disa sipërmarrësve në industri.
“Rilindja urbane 2.0 do vazhdojë për 4 vjet, nuk është një aksion veror, është një proces. Çështja e turistëve nuk lidhet me këtë , por me 2-3 gjëra të tjera për të cilat do të flasim gjerësisht në shtator. Duke filluar nga një pjesë e industrisë që nuk po mendojnë fare strategjikisht, kap ça të kapësh sot, por po i bën gropën vetes për nesër. Nëse sot vendos çmime të cilat do të hapin me shumë shpejtësi fjalën që është shumë shtrenjtë në Shqipëri… Do marrim masa radikale me plazhet vitin tjetër, bashkitë do marrin shumë më shumë”, tha Rama.