“Do lirohen të arrestuarit”, Bardhi: Gjykata e Lartë po kryen puç kushtetues

Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi ka thirrur të hënën një mbledhje të Kolegjeve të Bashkuara për të shqyrtuar ndryshimin e mundshëm të praktikës së unifikuar të vitit 2011, e cila ka shërbyer për më shumë se një dekadë në caktimin e masës së sigurisë së “arrestit në burg”.

Përmes një vendimi të ndërmjetëm të kryetarit Sokol Sadushi, mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara kërkohet për të riparë nëse vendimi i unifikuar i vitit 2011 qëndron para ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale dhe për të zbatuar vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

Lidhur me këtë vendim reagoi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi i cili u shpreh se një lëvizje e tillë është e motivuar politikisht dhe po bëhet me qëllim që të lirohen nga qelia persona të arrestuar për korrupsion, që ndodhen pranë kryeministrit Edi Rama.

Bardhi, akuzoi “Ramën po përdor Gjykatën e Lartë për të zhbërë praktikën 15-vjeçare”.

“Puç kushtetues për ndryshimin e standardit për arrestin me burg, është interes politik i Ramës. Qëllimi është lirimi i personave të korrupsionit dhe krimit të organizuar që ndodhen në burg.
Dje u fut në procedurë rishqyrtimi, që do të ndodhë në 9 prill një vendim unifikues i GJL që unifikon standardet. Lëvizje e diktuar politikisht për t’i hapur punë minimit të punës së SPAK dhe nxjerrjes nga burgu të korruptuarve të Ramës që ndodhet në burg. Qëndroni në lartësinë e detyrës dhe mos u përdorni politikisht”, tha ai.

Të Fundit