Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një punonjëse e OSHEE-së është dhunuar fizikisht gjatë ushtrimit të detyrës.
Shtetasi S. C., 38 vjeç, banues në Tiranë, është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 2, pasi dyshohet se më 25 prill 2025, rreth orës 13:00, ka goditur me sende të forta punonjësen R. H., 37 vjeçe.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Artan Lenja”, pranë lokalit në pronësi të autorit të dyshuar, ku punonjësja e OSHEE-së kishte shkuar për të kontrolluar matësin e energjisë elektrike. Si pasojë e dhunës, 37-vjeçarja ka pësuar dëmtime dhe aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për vijimin e hetimeve dhe kapjen e autorit.