Mbrëmjen e djeshme transmetuam një ngjarje të rëndë në shkollën 9-vjeçare “Isa Boletini” në Kamëz, pranë zonës së njohur si “Instituti Bujqësor”. Disa prindër denoncuan sjelljen e mësueses kujdestare Rudina Mbjeshova ndaj nxënësve të klasës së parë, duke thënë, se fëmijët ofendohen dhe bullizohen vazhdimisht gjatë orës së mësimit. Emisioni “Stop” monitoroi për disa ditë situatën në klasë, duke dokumentuar një sërë episodesh me gjuhë fyese dhe kërcënuese nga ana e mësueses. Në komunikimet e saj me nxënësit, ajo përdori etiketime të rënda si “budallenj”, “torollakë”, “të paedukatë”, “mistreca”, madje duke shkuar deri në shprehje ekstreme, si “vdeksh” apo “vrit veten”.Në disa raste, mësuesja kërcënonte nxënësit me ndëshkime, përjashtime apo nota të ulëta, duke krijuar një ambient frike dhe presioni psikologjik. Sot nëna e një fëmije të keqtrajtuar ka shkuar në shkollë dhe është përballur me kërcënimin e mësueses.Nëna tregon, se ka bërë denoncim në komisariatin nr. 3 në Tiranë, ndërsa akuzon edhe drejtoreshën e shkollës, se ka patur dijeni për situatën e rëndë.Ministria e Arsimit ka reaguar, duke pezulluar nga puna mësuesen Rudina Rudina Mbjeshova e duke ngritur një grup kontrolli për verifikimin e gjithë situatës.



