“Do fiksojmë Euron”, Berisha: Kur PD të jetë në qeveri, energjia elektrike pa TVSH!

Kreu i PD-së Sali Berisha ka dalë në konferencë për gazetarët këtë të Hënë duke parashtruar një tjetër objektiv në rast se kjo forcë politike fiton zgjedhjet. Një ndër aktet e para pas inaugurimit të qeverisë së Partisë Demokratike, tha ai, do të jetë fiksimi i normës së Euros.

“Së pari qeveria do krijojë Bordin e Fiksimit të Euros. Nuk mundet që narko-Euro të shkatërrojë ekonominë shqiptare! Do fiksohet norma, do kompensojë eksportuesit për vlerën dhe gjithë humbjen që kanë nga rënia e Euros. Kompensimi do jetë nga niveli i Euros në treg me vlerën e Euros së fiksuar nga qeveria. Ne do zerojmë efektin toksik të narko-Eurove në ekonomi, të paktën tek eksportet.“

Së dyti, premtoi se do të ulen në mënyrë drastike të gjitha taksat për sipërmarrjet e eksportit.

“Do të heqim TVSH-në për energjinë, do lidhim marrëveshje me sipërmarrjen energjetitike për të blerë energji. Përndryshe, ekonomia eksportuese do vdesë. Do jemi një shtet që vetëm importojmë dhe qarkullojmë Eurot e baronëve të drogës“, theksoi kryedemokrati.

Berisha shtoi se do të krijohet edhe Zyra e Mbrojtjes së Eksporteve dhe një sërë lehtësirash të tjera për këtë fushë. “Dogana do ndërrojë qëndrim ndaj eksportuesve, cdo shpenzim do paguhet nga shteti, jo nga eksportuesi. Do krijohet Zyra e Mbrojtjes së Eksporteve. Do kthejmë interesin e sipërmarrësve të huaj e shqiptarë për të prodhuar e eksportuar”, përfundoi ai.

Të Fundit