Një 8-vjeçar nga Kentucky ka habitur familjen (dhe gjithë internetin) pasi porositi plot 70,000 karamele nga llogaria Amazon e mamasë së tij, për të organizuar një “karnaval personal”.
Holly LaFavers, mamaja e vogëlushit të quajtur Liam, tha se ishte në shok kur gjeti 22 kuti gjigante me karamele në derën e shtëpisë. Pavarësisht përpjekjeve për të anuluar porosinë, ishte tepër vonë – dërgesa ishte nisur.
“Ai më tha se donte të organizonte një karnaval dhe porositi karamelet për karnavalin e tij,” – tregon e habitur Holly.
Por ‘karnavali’ i Liam-it rezultoi të kishte një kosto të kripur: afro 4,000 dollarë u zbritën nga llogaria bankare e saj.
“Kur pashë numrin, gati sa nuk më ra të fikët,” shton ajo me humor të hidhur.
Për fat të mirë, ajo arriti të kthejë një pjesë të karameleve dhe të marrë një rimbursim, megjithëse jo pa stres dhe përpjekje.
Pas ngjarjes, Holly ndryshoi menjëherë cilësimet në telefonin e saj, për t’u siguruar që Liam nuk do të organizojë më “festa surprizë” pa leje.