Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në Maqellarë, ku një 50-vjeçare është plagosur me thikë nga djali i saj.
– Advertisement –
Policia njofton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas agravimit të situatës gjatë një konflikti familjar, ku 26-vjeçari Ikler Sula ka plagosur me thikë nënën e tij, 50-vjeçaren Nexhmie Sula.
Në njoftimin e saj, policia thotë se është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes, ku ka arrestuar autorin dhe ka sekuestruar thikën si provë materiale.
Sipas burimeve për media, 26-vjeçari, i cili plagosi me thikë nënën e tij, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe kurohej prej tre vitesh.
50-vjeçarja e plagosur, nga fshati Pocest i Maqellarës, është dërguar menjëherë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
E plagosura Nexhmie Sula është Drejtoresha e Shkollës 9 vjeçare Pocest.
Njoftimi i plotë i policisë
Plagosi me mjet prerës (thikë), nënën e tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet menjëherë nga shërbimet e Policisë dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, se në fshatin Pocest, Maqellarë, kishte ndodhur një konflikt në familje, menjeherë kanë shkuar në adresën e marrë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi I.S., 26 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë), nënën e tij shtetasen N.S., 50 vjeçe, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.
Mjeti prerës (thikë), është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.