Në Ditën Botërore të Autizmit qeveria shqiptare ka vendosur që të dyfishojë pagesën mujore për 11 mijë fëmijë me aftësi ndryshe, si dhe njohjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për rreth 14 mijë kujdestarët dhe ndihmësit e tyre.
Gjatë aktivitetit “PAK Art në Pedonale”, në Berat, zv.kryeministrja Albana Koçiu, theksoi se kjo kategori do të marrë shërbime më të specializuara dhe do të ketë njëherësh kujdes më të posaçëm.
“Një plan veprimi në fakt që integron shërbimet kryesore në një sistem gjithëpërfshirës që është pikërisht sistemi shëndetësor, sistemi arsimor, por edhe sistemi i kujdesit social dhe shërbimeve sociale duke bërë të mundur që fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara të marrin shërbime shumëdimensionale për t’u integruar dhe për të lehtësuar bashkëjetesën e tyre në komunitet. Mendoj shumë që aktivitetet e përfshira në këtë plan veprimi, që zbatohen me korrektësi nga Shërbimi Social Shtetëror dhe gjithë stafi i përkushtuar, do të ndihmojnë akoma më shumë në përmirësimin dhe lehtësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara”, tha Koçiu.
Qeveria ka ndërmarrë iniciativën së pari për të dyfishuar pagesën mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara deri në 18 vjeç.
Nga ana tjetër, ka njohur kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për mbi 14 mijë kujdestarë të cilët ofrojnë kujdes , nuk janë vetëm prindër, janë edhe persona që kanë në kujdes fëmijë apo persona me aftësi të kufizuara, të cilët ia dedikojnë jetën e tyre shërbimit dhe kujdesjes për këta persona.



