Gjatë vitit 2025 në Shqipëri janë diagnostikuar 125 raste të reja më HIV AIDS, duke çuar totalin në 1973 raste që nga viti 1993. Këto shifra janë publikuar sot nga Instituti i Shëndetit publik në ditën botërore të AIDS.
Sipas të dhënave të ISHP-së, prevalenca kombëtare është 0.08%, ndërsa incidenca 5.3 për 100.000 banorë. Transmetimi kryesor është seksual me 72.6% nga heteroseksualë, ndërsa transmetimi nga meshkujt që kryejnë seks me meshkuj është 23.4% dhe transmetimi nga nëna tek fëmija është 2.4%. Meshkujt përbëjnë 73% të rasteve, kurse femrat 27% .
ISHP thekson se në Europë, raporti i ECDC dhe OBSH për vitin 2024 tregon 105.922 diagnoza të reja, me një normë prej 11.8 për 100.000 banorë.
Ndërkohë që në nivel global, HIV ka marrë rreth 44.1 milionë jetë. Në fund të vitit 2024, 40.8 milionë njerëz jetonin me HIV, 65% në Afrikë. Në 2024, rreth 630.000 njerëz humbën jetën nga AIDS dhe 1.3 milion të tjerë u infektuan.
Autoritetet apelojnë për parandalim duke theksuar përdorimin e prezervativit, testimin pas kontakteve të pambrojtura, testimin e grave shtatzëna, trajtimin falas dhe të menjëhershëm. Sipas tyre stigma mbetet pengesë kryesore për testimin dhe trajtimin.



