Mëngjesin e sotëm në “Aldo Morning Show” në Tv Klan në kuadër të ditës ndërkombëtare të turizmit ministrja Mirela Kumbaro foli për turizmin në Shqipëri.
Këtë verë vendi ynë pati një numër të shtuar të turistëve të huaj dhe një zhvillim masiv të turizmit në tërësi, duke tërhequr kështu edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat i kanë kushtuar një sërë artikujsh.
Gjatë fjalës së saj, ministrja e Turizmit tha se nëse më parë flisnim për ekonomi të turizmit, dy vitet e fundit kjo është kthyen në një industri. Kumbaro më tej theksoi se të gjitha shërbimet e sektorëve të tjerë përfshirë dhe bujqësinë janë vënë në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të turizmit.
Mirela Kumbaro: Nëse kemi disa vite që flasim për turizmin si mundësia më e mirë për të zhvilluar turizmin në Shqipëri, filluam pastaj të flasim për ekonominë e turizmit. Ne dikur nuk flisnim për turizëm, flisnim për pushime. Por, nëse kalojmë në sektorin ekonomik, nuk ka qenë një sektor i mirëfilltë, ka qenë një sektor sporadik. Për disa vite kemi folur për ekonomi, ama kemi dy vite që flasim për industri dhe këtu është një ndryshim i madh. Ju thatë që flitet gjithnjë e më shumë për turizmin, në fakt ajo që flitet është një perceptim i asaj që ndodh në realitet. Jemi futur në industrinë e turizmit. Ne e kemi ndarë mendjen që do të bëjmë turizëm dhe dega tjetër e ekonomisë që është bujqësia në shërbim të turizmit e kemi vënë, edhe infrastrukturën në shërbim të turizmit e kemi vënë që nga aeroporti, porti apo rrugët janë investime që shkurtojnë destinacionet. Nuk e kemi lidhur ndonjëherë bujqësinë ne me turizmin, ama nëse do të shohim zinxhirin që krijohet që nga ai që prodhon domatet, ai që prodhon mishin, përveçse është produkt lokal, përveçse është shumë i mirë dhe bio, shkon i gjithi për turizmin sepse është një nga atraksionet për të cilën vijnë turistët.
Aldo: Ajo që doja të tërhiqja vëmendjen është edhe mënyra e sjelljes së njerëzve…
Mirela Kumbaro: Është një gjë që ne e kemi bujarinë dhe mikpritjen. Përgjithësisht dhe historikisht ne të huajin, vizitorin, ne e konsiderojmë gjënë më të rëndësishme. Kur na vjen dikush është më i rëndësishëm se ne që jetojmë brenda shtëpi, përpiqemi ta kënaqim nga mënyra sesi i shërbejmë deri tek mënyra që i ofrojmë për të ngrënë. Por, ajo që ka ndodhur dhe që është e bukur, është që këtë pjesën e mikpritjes biznesi e ka kthyer në ekonomi dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Leku ka hyrë në mes dhe duhet të hyjë leku se ekonomia do të mbahet me fitime, nuk mbahet me dashuri dhe ujë të freskët, nuk funksionon kjo./tvklan.al