Dy punonjës të Policisë Bashkiake kanë denoncuar në polici se janë dhunuar për shkak të detyrës nga dy persona.
Në një njoftim zyrtar të Policisë së Tiranës konfirmohet ngjarja, ndërsa bëhet e ditur se kanë nisur hetimet dhe janë shpallur në kërkim dy të dyshuarit.
Sipas policisë, ngjarja po hetohet nga specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas kallëzimit të bërë nga efektivët e dhunuar.
“Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim shtetasit K. C., 29 vjeç, dhe E. Gj., 39 vjeç, pasi dyshohet se kanë goditur për shkak të detyrës dy punonjës të Policisë Bashkiake. Vijon puna për kapjen e tyre dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes,” thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Ngjarja është ende në hetim dhe deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme lidhur me dinamikën dhe motivet.