106 tifozë të Tiranës dhe Vllaznisë janë shoqëruar në polici pas përplases së dhunshme mes tyre ditën e djeshme. Prej tyre, 8 tifozë janë vënë në pranga, ndërsa 20 të tjerë janë proceduar penalisht. Konflikti mes dy tifozerive erdhi pas ndeshjes Vllaznia-Tirana që u luajt në Kukës dhe përfundoi me fitoren e Tiranës 1-0.
Njoftimi i policisë:
U konfliktuan fizikisht, në Rrugën e Kombit, dhe dëmtuan autobusët me të cilët udhëtonin, shoqërohen në ambientet e Policisë, 106 tifozë të ekipeve të futbollit “KF Tirana” dhe “KF Vllaznia”.
Prej tyre, vihen në pranga 8 tifozë dhe procedohen penalisht 20 të tjerë.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ato të komisariateve në varësi të saj, sapo janë njoftuar se në Rrugën e Kombit, tifozët e 2 skuadrave të futbollit në vendin tonë, po konfliktoheshin fizikisht, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të 106 tifozëve (nga të dyja ekipet) të përfshirë në konflikt.
Në vijim të veprimeve procedurale për paligjshmëritë e kryera (konflikt fizik dhe dëmtim të autubusëve me të cilët udhëtonin), u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. X., 20 vjeç, K. Z.,18 vjeç, R. M., 18 vjeç, I. A., 18 vjeç, K. D., 38 vjeç, R. L., 18 vjeç, F. K., 18 vjeç dhe F. Sh., 20 vjeç.
Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 20 tifozë të tjerë, nga të dyja ekipet.
Ndërkaq, tifozët e tjerë të shoqëruar, në përfundim të veprimeve procedurale, janë lënë të lirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkaterrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.