Në lidhje me ngjarjen e transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Stop” në Tv Klan, ku pamjet kanë treguar si noterja Majlinda Lleshi dhunoi gazetarin Genci Angjellari dhe operatorin Gerti Hoxha të këtij programi, ka reaguar Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.
Lidhur me agresionin e noteres kërkohet reagim i menjëhershëm nga organet ligjzbatuese dhe Dhoma e Noterëve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është në pritje të reagimit dhe procesit hetimor ndaj rastit, duke shprehur solidaritetin e plotë me kolegët në detyrë. Inkurajohen reporterët investigativë dhe redaksitë e raportimit të thelluar për të guxuar e këmbëngulur përherë, në zbardhjen dhe ekspozimin e të vërtetave që lidhen me interesin publik dhe atë ligjor.
Reagimi i plotë i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:
Dhuna verbale dhe fizike e noteres Lleshi mbi reporterin dhe operatorin e emisionit “Stop” janë tronditëse
Tiranë më 17.02.2022
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i tronditur nga imazhet e publikuara nga emisioni investigativ Stop në TV Klan, ditën e mërkurë më 16.02.2022.
Incidenti i noteres Majlinda Lleshi me reporterin Genci Angjellari dhe operatorin Gert Hoxha të emisionit investigativ, përbën një akt të pastër dhune dhe agresiviteti ndaj gazetarëve në detyrë. Sekuencat e transmetuara nga emisioni janë tronditëse dhe meritojnë reagime të menjëhershme institucionale. Lëndimi i operatorit dhe gjuha fyese e kërcënuese e noteres ndaj reporterit janë shprehje e një agresioni mbi integritetin fizik të gazetarit në të drejtën e vet për të marrë përgjigje për fakte dhe dokumentacion që lidhen me detyrën e noteres.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e dënon ashpër këtë agresion të noteres. Kërkon reagim të menjëhershëm nga organet ligjzbatuese dhe Dhoma e Noterëve.
Agresioni verbal dhe fizik i noteres ndaj reporterit dhe sjellja e saj me klienten qytetare përbëjnë imazhin më të keq të përftuar nga mjedisi problematik i noterisë në përgjithësi.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është në pritje të reagimit dhe procesit hetimor ndaj rastit, duke shprehur solidaritetin e plotë me kolegët në detyrë. Inkurajojmë fuqimisht reporterët investigativë dhe redaksitë e raportimit të thelluar për të guxuar e këmbëngulur përherë, në zbardhjen dhe ekspozimin e të vërtetave që lidhen me interesin publik dhe atë ligjor.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Sjellim në vëmendje se gjithçka ka ndodhur në dalje të zyrës së noteres, aty ku Majlinda Lleshi mbajti të mbyllur një qytetare. Grupi i xhirimit ishte duke ndjekur rastin denoncimit të qytetares nga Saranda e cila pretendon se noterja ka falsifikuar testamentin e vjehrrës së saj të ndjerë. Zonja shkoi të ballafaqohej me noteren duke e pyetur për rrethanat dhe mënyrën se si kishte marrë testamentin vjehrrës që nuk kishte lëvizur kurrë nga shtëpia duke e akuzuar për falsifikim.
Këtu noterja e humbi qetësinë dhe pasi mbylli qytetaren në zyrën e saj, thirri policinë. Me mbërritjen e efektivëve të komisariatit numër 2, Majlinda Lleshi hapi derën dhe teksa largohej goditi gazetarin dhe gjakosi operatorin e “Stop” në prani të uniformave blu.
Madje kërcënoi ata edhe me jetë…
Por pavarësisht dhunës të ushtruar në prani të policisë noterja u lirua pas shoqërimit në komisarit. Televizioni Klan u kërkon autoriteteve përkatëse të reagojnë për marrjen e masave pas këtij kërcënimi ndaj gazetarëve dhe operatorëve të STOP./