Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë, Majlinda Dhuka këtë të martë ka marrë pjesë në një konferencë për mediat së bashku me ministrin, Toni Gogu. Gjatë fjalës së tij, Dhuka u shpreh se në vitin 2025 Shqipëria çeli negociata për të gjitha fushatat për 33 kapituj.
Ajo shtoi se viti 2026 është vit i rëndësishëm në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE. Ajo theksoi se ky rrugëtim ka si qëllim që në vitin 2027 të arrihen kushtet për mbylljen e negociatave.
“Kjo është një punë komplekse, por edhe shumë pozitive sa i përket transformimit europian të vendit, që nga shtetit tek ekonomia, shërbimet për qytetarët, heqja e barrierave mes Shqipërisë dhe BE.
Mes çeljes së negociatave edhe mbylljes, Shqipëria duhet të japë një test aftësie si në pikëpamje të vullnetit për reforma europiane, si edhe aftësisë teknike dhe zbatuese të standardit europian në shërbime dhe jetën e qytetarëve. Shqipëria duhet të përgatitet me një numër reformash dhe përmirësimesh”, tha ajo.
Dhuka shtoi se do të prezantojnë 12 nisma ligjore që i ka në shqyrtim Kuvendi. Ajo u shpreh se këto nisma lidhen me forcimin e shtetit të së drejtës, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit, zbatimin më të mirë të reformës në drejtësi dhe mbrojtjes nga diskriminimi, mbështetjet për familjen.
“Kjo paketë prej 12 nismash ligjore të rëndësishme ka në përmbajtje 6 projektligje që i janë propozuar Kuvendit nga Këshilli i Ministrave dhe 6 projektligje që janë inciuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kjo paketë garanton progres në lidhje me standardin evropian dhe praktikën më të mirë në 3 grupe çështjesh të rëndësishme, luftën kundër krimit të organizuar, barazinë dhe drejtësinë sociale, mbrojtjen e familjes dhe së treti në masat për parandalimin e korrupsionit”, tha Dhuka.



