Dhoma Amerikane e Tregtisë ka deklaruar se niveli i biznesit në Shqipëri është më i ulëti i regjistruar ndonjëherë që prej vitit 2012. Shkak kryesor sipas raportit është ulja e besimit.
Çfarë vihet re është se edhe gjatë vitit 2020 klima e përgjithshme e të bërit biznes në Shqipëri ka qenë e pafavorshme dhe ka një rënie me 0.5% krahasuar me vitin 2019.
Më shumë se 71% e anëtarëve të Dhomës Amerikane e vlerësojnë negativisht situatën, 9% e tyre kanë dhënë një vlerësim pozitiv, ndërsa 20% e tyre janë neutral.
80% e të pyeturve në raport deklaruan se performanca e ekonomisë shqiptare, punësimit, investimeve apo shkëmbimeve tregtare kanë rënie.
60% e personave që u intervistuan thanë se niveli aktual i taksave nuk është konkurrues për rajonin.
“Qeveria duhet të heqë dorë nga shumë burokraci dhe të krijojë një klimë më të favorshme për investitorët e huaj, në mënyrë që të tërheqë më shumë prej tyre,” – sugjeron raporti.
Anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë theksojnë mbi të gjitha nevojën për “luftë ndaj korrupsionit”.
Bizneset e marra në pyetje në këtë raport thonë gjithashtu se pronat private nuk respektohen, janë krijuar monopole dhe oligarki në çdo sektor.
Ata i kërkojnë qeverisë zbatim të shpejtë të reformave për të zhvilluar ekonominë e tregut dhe për të rritur rolin e Shqipërisë në rajon.