Policia e Durrësit ka ndërmarrë një aksion për të ndaluar shfrytëzimin e fëmijëve për të lypur në zonën e plazhit.
Gjatë kontrollit, efektivët konstatuan 3 fëmijë të mitur dhe 5 shtetas të rritur që ushtronin aktivitet lypjeje në këtë zonë.
Për rastet e konstatuara, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, ndaj shtetasve A. B., 54 vjeç, dhe E. A., 34 vjeç, të cilët dyshohet se shfrytëzonin fëmijët e tyre të mitur për të lypur.
Ndërkohë, për 5 shtetasit e rritur të moshave 21–40 vjeç, policia ka referuar materialet në Prokurori për vlerësim.
Në njoftimin e saj, Policia e Durrësit apelon ndaj prindërve dhe qytetarëve që të mos shfrytëzojnë të miturit në veprimtari ekonomike të papërshtatshme me moshën e tyre.
Sipas policisë, ky veprim përbën shkelje të Kodit Penal por dëmton edhe shëndetin psiko-emocional të fëmijës.
Njoftimi i policisë
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, gjatë patrullimeve të vazhdueshme, me qëllime garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë konstatuar 3 fëmijë dhe 5 shtetas të rritur, duke lypur në rrugë.
Për rastet e konstatuara, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, për shtetasit A. B., 54 vjeç dhe E. A., 34 vjeç, pasi dyshohet se shfrytëzonin fëmijët e tyre të mitur, për të lypur në zonën e plazhit.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, për 5 rastet e lypjes nga shtetasit e tjerë, të moshave 21-40 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Durrësit apelon për prindërit dhe qytetarët që të mos shfrytëzojnë të miturit për veprimtari ekonomike të papërshtatshme me moshën e tyre, pasi përveç se përbën një paligjshmëri të dënueshme në Kodin Penal, ky veprim dëmton dhe shëndetin psiko-emocional të fëmijës”, thuhet në njoftim.