Në një stadium me rreth 20,427 tifozë të pranishëm, është mbyllur në barazim pa gola sfida shumëpritur Shqipëri–Serbi, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2026.
Kombëtarja jonë zhvilloi një lojë pozitive me disa raste për gol, ku momenti kulminant ishte penalltia e fituar nga Hysaj në minutën e fundit të pjesës së parë, por e cila u shpërdorua nga sulmuesi Rey Manaj, pasi portieri serb priti gjuajtjen e tij.
Edhe në pjesën e dytë, Shqipëria ruajti një lojë të mirë dhe konstante, por nuk arriti të shënojë, duke mbyllur pa gola derbin e Ballkanit, i cili u luajt në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Me këtë rezultat, Shqipëria renditet e dyta në Grupin K me 4 pikë, ndërsa grupi kryesohet nga Anglia me 9 pikë. Në vendin e tretë ndodhet Letonia me 3 pikë, Serbia me 1 pikë, dhe Andorra pa pikë.
Zhvillimet kryesore minutë pas minute
90′ Jepen 6 minuta shtesë
85′ Ndërrim te Shqipëria, Ylber Ramadani hyn në lojë në vend të Juljan Shehut
77′ Gjyqtari sinjalizon për zëvendësim. Luka Joviç hyn në fushë, duke zëvendësuar Aleksandar Mitroviç, i cili është dëmtuar dhe nuk mund të vazhdojë ndeshjen
76′ Armando Broja i le vendin Myrto Uzunit
69′ Dragan Stojkovic bën dy zëvendësime: Jan-Carlo Simiç zëvendëson Aleksa Terziç, ndërsa Andrija Maksimoviç zëvendëson Lazar Samardziç
63′ Sylvinho futën Nedim Bajramin në vend të Arber Hoxhës
62′ Rey Manaj largohet nga loja dhe zëvendësohet nga Mirlind Daku
54′ – Thomas Strakosha bën një pritje fantastike pas një tentativi me kokë të Aleksandar Mitrovic, duke dërguar topin në këndore.
46′ Fillon pjesa e dytë e ndeshjes
45+2′ Mbyllet pjesa e parë dhe lojtarët i drejtohen dhomave të zhveshjes
45+2′ Rey Manaj vendos topin në pikën e penalltisë dhe gjuan drejt këndit të poshtëm të majtë. Por goditja e tij nuk është e fortë, duke i dhënë mundësi portierit Djordje Petrovic të bëjë një pritje të shkëlqyer.
45+1′ Rey Manaj merr përgjegjësinë për ekzekutimin e penalltisë dhe po përgatit topin.
45+1′ Gjyqtari Davide Massa vëren një faull nga Lazar Samardzic dhe jep penallti për Shqipërinë, duke iu dhënë ekipit një shans të madh për të shënuar.
28′ Përqindja e zotërimit të topit është 49% për Shqipërinë dhe 51% për Serbinë.
19′ Kartoni i verdhë për Berat Gjimshitin pasi ndali kundështarin me një ndërhyrje të ashpër
17′ Armando Broja përplaset nga kundështari në një inkursion të tij, Strahinja Pavloviç ndëshkohet me karton të verdhë
11′ Mitaj lëshon një predhë qëndrore e cila grushtohet nga portieri serb
8′ Andrija Zivkoviç shmang një mbrojtës shqiptar dhe lëshon një goditje nga distanca drejt këndit të poshtëm të djathtë, por Thomas Strakosha është i pozicionuar mirë dhe kontrollon pa vështirësi. Serbia fiton një goditje nga këndi.
1′ Ndeshja ka startuar! Shqipëria e nis e para topin nga mesi i fushës.
0′ Këndohen himnet kombëtare të Shqipërisë dhe Serbisë, ndërsa tifozët shqiptarë menjëherë pas mbarimit të himnit serb kanë fishkëllyer.
Trajneri Sylvinho ka preferuar ta nisë këtë përballje me Strakoshën në portë. Në mbrojtje do të jenë Hysaj, Ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj.
Në mesfushë luajnë Shehu, Laçi, Asllani dhe Hoxha, ndërsa në sulm janë Broja dhe Manaj.
Nga ana tjetër, trajneri serb ka filluar me Petrovic në portë. Mbrojtja përbëhet nga Pavloviç, Milenkoviç dhe Erakoviç.
Në mesfushë luajnë Lukiç, Maksimoviç, Zivkoviç, Terziç dhe Samardziç, ndërsa në sulm janë Vlahoviç dhe Mitroviç.
Kjo sfidë i është besuar një grupi gjyqtarësh italianë, me arbitrin Davide Massa në krye.
Shqipëria ka regjistruar deri tani një humbje ndaj Anglisë dhe një fitore përballë Andorrës në dy ndeshjet e para të grupit ndërsa për Serbinë kjo është ndeshja e pare në grup.