Ilir Meta përflitet se do të ketë një vend të sigurt në listën e sigurt të PD për deputet në zgjedhjet e 11 majit.
Deputeti Dashnor Sula, në një intervistë në media, ka theksuar se nuk ka asnjë merak për t’u bërë deputet, dhe nëse Partia Socialiste fiton përsëri, ai është i gatshëm të largohet nga Shqipëria, duke e konsideruar të pamundur jetesën në një vend të tillë. Gjatë intervistës deputeti Sula reagoi duke thënë se nuk ka problem që Meta të ketë vendin e sigurt dhe se, për të, është më e rëndësishme të përmbushë detyrën si opozitar. Ai shprehu shqetësimin që, ndonëse PD ka një proces të përzgjedhjes së kandidatëve përmes primareve, Meta është “katapultuar” në listë të sigurt dhe këtë e konsideron një padrejtësi. Sula shtoi se nuk e di si do të jetë marrëveshja mes forcave opozitare, por thotë se është e domosdoshme që të bashkohen për të luftuar kundër Partisë Socialiste.
Kur u pyet për Bashën, Sula theksoi se, për të, nuk ka rëndësi se kush bëhet deputet, pasi Shqipëria është në një udhëkryq dhe, nëse PS fiton përsëri, mijëra shqiptarë, përfshirë edhe veten, do të largohen, sepse sipas tij, nuk mund të jetojnë më në një vend të tillë.