Deputeti Myslim Murrizi foli në News24, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për hapjen e listave të deputetëve 100%.
Lidhur me këtë të fundit, Murrizi tha se vendimi mund të futet në fuqi që me zgjedhjet e 25 prillit, pasi sipas tij, deputetët e zgjedhur në këto zgjedhje nuk e kanë marrë akoma mandatin zyrtarisht.
Sa i përket faktit që nuk u zgjodh deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Murrizi rendit arsyet, pse sipas tij, nuk do të jetë në Parlament katër vitet e ardhshme, duke përmendur mes të tjerash edhe “pazaret”.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të prishur herësin ishte marrëveshje e Ramës dhe Bashës, por nuk shoh të ketë deklaratë publike. Shoh Gazin që del e flet për shezlongë, se Basha është me pushime, por nuk flet për këtë vendim. Ku je mor Gaz, dil e fol. Ky vendim i Gjykatës mund të futet që për këto zgjedhje, pasi akoma nuk janë marrë mandatet e deputetit. Ky vendim heq ata që lëpijnë e fusin hundët më shumë dhe sjell ca të tjerë që krerët e partive i kanë renditur më poshtë, pasi nuk i kanë dashur, por nuk cenon 74 mandatet e Ramës apo të Bashës.
Nuk ka qenë qëllimi im të merrem me 34 eunukuë, që nuk kanë lënë telefon pa më marrë. Janë dy kategori njerëzish në këtë vend, një pakicë me karakter e moral, që kanë një betejë, dhe një grup eunukësh që ka qeverisur Shqipërinë në këto 30 vite, që ka hall të madh të ketë karrigen e pushtetit. Kjo lloj ka qeverisur Shqipërinë.
Unë ndjehem shumë mirë me të gjitha vendimet dhe qëndrimet e mia në Kuvend. Nuk ka fare rëndësi pse nuk jam më në Parlament. Unë doja vetëm që të më ketë vlerë vota. Tani pse nuk jam unë në Parlament, së pari është hera e parë në 30 vite që ka 83 mijë vota të pavlefshme. E dyta, për shkak të pazarit. E treta, më vjen për të qeshur, nuk ka asgjë të dokumentuar nga PD e LSI, asnjë procesverbal, po më gjetët një do të zhdukem nga politika. Nuk ka asnjë procesverbal kontestues në kutitë e votuara. I gjithë procesi i ankimimit ka qenë mashtrimi i radhës i këtij grupi militantësh, që deshën t’iu hedhin hi syve. Ka pasur deformim, por jo në kuti, ka pasur për mua që nuk kisha as numërues, as vëzhgues. Nëse këta dinë fakte konkrete, të dalin e të denoncojnë numëruesit. Dhe më shumë qesh, kur ata thonin “përsëritje zgjedhjesh”. Nëse do kisha mundësi të bëja presion për përsëritje zgjedhjesh, mbi 100 deputetëve do iu binte infarkt, se nuk kanë kokërr leku më. U shkundën nga të dyja palët”, tha Murrizi.