Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, Kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut Jorida Tabaku, deputetët Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Ivi Kaso, po zhvillojnë një vizitë zyrtare në SHBA, ku janë takuar me Kryetarin e Nënkomisionit për Qeverisjen kongresmenin Pete Sessions, dhe kongresmenin John R. Moolenaar.
Zyra e shtypit e Partisë Demokratike bëri me dije përmes një njoftimi se gjatë takimit deputetët e opozitës kanë theksuar nevojën e forcimit të partneritetit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, duhet të përqendrohet në reforma reale që rrisin sigurinë, demokracinë dhe qeverisjen e mirë.
Partneriteti strategjik me SHBA duhet të forcohet në prioritetet e përbashkëta. Përkushtimi i SHBA për të vendosur në krye të axhendës së sigurisë luftën ndaj karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre, është një lajm i mirë për Shqipërinë”, mësohet të jetë theksuar në takime.



