Një ndër figurat publike të njohura të drejtësisë në jug të vendit, prokurorja Esmeranda Basho, e prezantuar shpesh në publik si një zë i ashpër kundër shkeljeve dhe një figurë e palëkundur e ligjit, del e zhveshur financiarisht nga të dhënat e veta zyrtare të deklaruara pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë (ILDKPI). Një analizë e thjeshtë mbi dokumentet e dorëzuara prej saj për periudhën 2019–2023 hedh dritë mbi një sërë shkeljesh ligjore të rënda, që nga deklarimi i rremë, mosjustifikimi i të ardhurave, fshehja e burimeve financiare, e deri te dyshimet serioze për përfitim të pasurive nga korrupsioni apo abuzimi me detyrën.
Në deklaratën e vitit 2022, zonja Basho raporton se ka përfituar 123.415 lekë më datë 07.01.2022, si dhe një shumë të konsiderueshme prej 740.490 lekësh gjatë periudhës 1 janar – 1 korrik 2022. Në total, 863.905 lekë të listuara në rubrikën “të ardhura të tjera”. Deri këtu, gjithçka mund të dukej në rregull, nëse këto të ardhura do të ishin të shoqëruara me burimin e saktë të fitimit dhe dokumentacionin përkatës. Por nuk janë.Asnjë referencë konkrete, asnjë kontratë, asnjë dokument mbështetës, asnjë sqarim publik. Mungesa e këtyre elementëve përbën jo vetëm shkelje të detyrimit ligjor për transparencë, por është një element i mjaftueshëm për të hapur hetim penal për burim të dyshimtë të të ardhurave, ashtu siç e parashikon ligji dhe Kodi Penal.
Në të njëjtën deklaratë dhe në ato pasuese, Basho pretendon se prej datës 3 gusht 2019 është përfshirë në aktivitet qiradhënieje të një banese, ku shuma mujore që ajo raporton është… 20.000 lekë. Kjo shumë, në kushtet e tregut të lirë në qytetin e Sarandës sidomos gjatë sezonit turistik është thjesht absurde. Në një qytet ku një natë gjatë korrikut apo gushtit kushton mbi 20.000 lekë, Basho deklaron se e jep të gjithë banesën për një muaj me aq. Për katër vite me radhë. Pa indeksim, pa dokument kontrate të qirasë, pa dokumentim të pagesave, e mbi të gjitha: pa pagesë tatimore të detyrueshme si subjekt i të ardhurave nga dhënia me qira.
Situata bëhet edhe më e rëndë me deklarimin e vitit 2023. Sipas të dhënave të dorëzuara në ILDKPI, Basho ka përfituar një apartament me sipërfaqe 86 m² në Sarandë, por e deklaron atë me statusin kontradiktor “aset në përdorim”. Kjo frazë e paqartë dhe e pazakontë ngre një sërë pyetjesh,nëse apartamenti është “aset” pra pasuri e saj pse nuk është deklaruar burimi financiar i blerjes së tij, në një kohë që çmimi minimal i tregut për një apartament të tillë në Sarandë kap vlerën e 129.000 eurove (rreth 13.5 milionë lekë)?
Nëse Basho e ka në përdorim si huapërdorje apo dhënie nga të tretë, atëherë duhej të ishte deklaruar si përfitim i dhuratës apo huazim, dhe jo si “aset”. Nëse ajo paguan qira, ku janë kontrata dhe pagesat përkatëse? Nëse nuk paguan, përse nuk e ka regjistruar si përfitim nga të tretët, siç e kërkon ligji për pasuritë e paluajtshme?E gjitha kjo lë të kuptohet se prokurorja mund të jetë pronarja faktike e apartamentit, por e ka shmangur me qëllim deklarimin e plotë për të fshehur pasurinë reale dhe burimin e saj të krijimit, duke i shpëtuar auditimit të thelluar dhe kontrollit financiar.
Sipas Ligjit për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, përdorimi i pasurisë së paluajtshme pa kontratë qiraje të regjistruar dhe pa deklarim të saktë në organet tatimore përbën shkelje të rregullave fiskale dhe cenon seriozisht funksionimin e sistemit tatimor. Në rastin konkret, vetëdeklarimi nga prokurorja si “përdoruese” e një apartamenti, pa sqaruar marrëdhënien ligjore të përdorimit dhe pa paguar tatimin përkatës mbi të ardhurat në rastin e një përdorimi me qira, krijon precedent të rrezikshëm që jo vetëm dëmton buxhetin e shtetit, por frymëzon qytetarët dhe individët e tjerë të shmangin tatimin në burim, duke nxitur informalitetin dhe kaosin në sistemin fiskal. Ky veprim bie ndesh me frymën e ligjit dhe me standardet e një administrate të përgjegjshme dhe të ndershme.
Në këtë pikë, çdo analizë logjike dhe juridike çon në përfundimin se kemi të bëjmë me deklarim të rremë për të ardhurat vjetore, fshehje të pasurisë. Kemi të bëjmë me mospërputhje mes të ardhurave të deklaruara dhe pasurive të përfituara, fshehje të burimit të pasurisë së paluajtshme. Dyshime për mundësi për përfitim të pasurive nga korrupsioni, mitmarrje ose ndikim i paligjshëm.
Një figurë që përfaqëson ligjin nuk mund dhe nuk duhet të jetë mbi ligjin. Qytetarët ndëshkohen për mospagimin e një fature energjie ose për vonesën e një dokumenti. Ndërsa në këtë rast, kemi një përfaqësuese të akuzës që përfiton të ardhura të pajustifikuara, përdor banesa të cilat nuk deklarohen qartë, dhe shmang detyrimet ligjore dhe tatimore.
Pyetje është edhe për një sërë instititucionesh dhe nëse do të ketë një hetim real nga ILDKPI? A do të ndërhyjë SPAK për të analizuar burimet financiare të prokurores Basho dhe të vendosë nëse kemi të bëjmë me pastrim parash, deklarim të rremë apo korrupsion? Apo rasti do të mbyllet me ndonjë “sqarim formal” e do të heshtet si shumë të tjera?
Me këto veprime a është prokurorja Esmeranda Basho një shembull i ndershmërisë publike, apo një tjetër fytyrë e sistemit të drejtësisë që manipulon sistemin nga brenda, për përfitime personale?
Në një shtet që pretendon të jetë në rrugën e reformës në drejtësi, këto nuk janë vetëm çështje personale të një prokuroreje, por çështje të rendit publik dhe besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.