Ish-drejtuesi i regjimit në burgun e Lushnjës I.L., është shpallur fajtor dhe dënuar me 3 vite e 3 muaj burg për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Çështja ndaj tij u shqyrtua me procedurë të shkurtuar, çka solli uljen e dënimit në 2 vite e 2 muaj heqje lirie.
Megjithatë, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke e lënë I.L. në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.
Skandali u bë publik nga emisioni investigativ Stop, i cili transmetoi pamje ku Leka shfaqej duke marrë 700 euro në këmbim të dhënies së një lejeje 5-ditore për një të dënuar. Më herët, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit I.L.”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Atalanta Zeqiraj dhe Marinela Osmani, me vendimin nr. 16, datë 16.02.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit I.L. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet e 3 (tre) muaj burgim.
2. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit I. L. i zbritet 1/3 e masës së dënimit me burgim, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 2 (dy) muaj burgim.
3. Në zbatim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin I. L. për një periudhë kohore 2 (dy) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kësaj kohe i pandehuri detyrohet të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.
4. Bazuar në nenin 261 dhe 389 të Kodit të Procedurës Penale duke qenë se dënimi me burgim u pezullua me kusht, konstatohet shuarja e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj të pandehurit I.L., me vendimin nr. 94, datë 19.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë.
5. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin I.L., për një periudhë kohore prej 5 (pesë) vjet.
6. Në aplikim të nenit 190, pika 1, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale provat materiale të sekuestruara: aparati celular i markës “Iphone”, me ngjyrë të zezë, me nr. IMEI ****, dhe një kartë SIM e kompanisë “Vodafone”, me nr. tel. ****, t’i kthehen të pandehurit I.L., ndërkohë, Një USB e markës “Verbatim”, me ngjyrë të zezë, me nr. ****, në të cilën është ngjitur një letër e bardhë me mbishkrimin “Proc.Penal Nr. 179/2025”, në të cilën ndodhet akti i ekspertimit kompjuterik;
Një DVD e markës “Verbatim”, me ngjyrë gri, me mbishkrimin me shkrim dore me ngjyrë të kuqe “STOP 16.09.25”, administruar me këqyrje dhe marrje nga drejtuesi i emisionit “STOP”, të mbeten pjesë e dosjes gjyqësore. 7. Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit.
8. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar k ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar. Tiranë, më datë 16.02.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar



