Denoncuar disa herë nga “Stop”, hartonte akte noteriale të falsifikuara në emër të kolegëve, Prokuroria pezullon nga detyra noteren në Fier

Noterja Anila Haxhiu është pezulluar nga detyra e saj nga Prokuroria pasi dyshohet se hartonte akte noteriale të falsifikuara në emër të kolegëve.

Emisioni investigativ “Stop” ka trajtuar disa herë problematika të lidhura me veprimtarinë e noteres Anila Haxhiu. Në disa reportazhe, emisioni është fokusuar te certifikimi i saj në gjuhën italiane, ku sipas provave të transmetuara, noteria nuk zotëronte njohuritë bazë të gjuhës pavarësisht certifikimit zyrtar. Po ashtu, “Stop” ka publikuar përkthime të saj me gabime të rënda dhe një vulë të lidhur me NIPT-in e një fermeri, gjë që ngriti dyshime mbi ligjshmërinë e disa dokumenteve noteriale.

Në një tjetër rast, një qytetare ka denoncuar aplikime të pasakta për certifikata pronësie që i shkaktuan probleme në procesin e dokumentacionit. Situata është tensionuar edhe gjatë xhirimeve, ku gazetarët raportuan se u mbyllën brenda zyrës së noteres dhe se bashkëshorti i saj goditi kameramanin e emisionit.

“Stop” ka publikuar gjithashtu një rast ku bashkëshorti i noteres ka ofruar ndërhyrje të paligjshme në dokumente familjare kundrejt pagesës. Pas këtyre episodëve, Ministria e Drejtësisë e ka gjobitur noteren me 5 milionë lekë për shkelje të konstatuara në ushtrimin e detyrës.

Njoftimi i plotë

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier u pezullua nga detyra noterja A.H., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, e parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

Nga hetimet e deritanishme në kuadër të këtij procedimi penal, u dokumentuan disa raste ku personi nën hetim A.H., e cila ushtron profesionin e noteres në qytetin e Fierit, ka kryer veprime aktive, me dashje e në mënyrë të përsëritur, në drejtim të falsifikimit të dokumenteve noteriale, duke paraqitur rrethana të rreme në to, duke hartuar akte noteriale në emër të noterëve të tjerë M.P., D.L. dhe E.C., të cilëve u ka falsifikuar nënshkrimet dhe vulat, si dhe duke kryer veprime noteriale në mungesë të palëve.

Mbi kërkesën e Prokurorisë, u vendos ndaj personit nën hetim A.H. masa e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masën ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, e parashikuar nga neni 186 pg. 3 i Kodit Penal.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale në sferën ekonomike, duke cenuar interesat e ligjshme të shtetasve dhe interesin publik.

Të Fundit