Një grabitje me vlerë mbi 600 mijë euro, një rikthim po aq i pazakontë dhe një letër e shkruar me dorë që shton misterin… Është ky rasti tejet i pazakontë në Milano.
Gjithçka ndodhi shumë shpejt në hotelin prestigjioz The Westin Palace.
Një turist amerikan u bë viktimë e grabitjes spektakolare, një çantë e zezë Tom Ford me AirPods, karta krediti, para cash (600 dollarë dhe 300 euro) dhe më kryesorja, katër ora super të shtrenjta të markës Richard Mille, secila e vlerësuar me 150 mijë euro.
Por një ditë më vonë, çanta u gjet në të njëjtin vend, te holli i hotelit. Brenda saj ishte një pjesë e parave dhe orat e padëmtuara. Ajo që ngjalli më shumë interes ishte letra e shkruar në italisht me një shkrim të çrregullt:
“Gli orologi sono falsi”, pra “Orat janë fallco”.
Një kthesë që befasoi edhe policinë. A ishte kjo një përpjekje për të hequr përgjegjësinë ligjore? Apo ndoshta një tentativë për të çorientuar hetimet?
Njëri në pranga, tjetri në arrati
Policia ka ndaluar një 27 vjeçar francez, i cili kishte sjellje të dyshimta. I riu dyshohet si bashkëpunëtor në grabitje, ndërsa “protagonisti” ia ka dalë të arratiset. Autoritetet thonë se është një 19 vjeçar maroken, me precedent të mëparshëm kriminalë. Megjithatë, hetimet vijojnë, në një rast që ngjan si film me komedi e krim brenda.