Babë e birë tashmë kanë rënë në prangat e policisë në Kuçovë për mashtrim me produktet ushqimore, e konkretisht me vajin e ullirit.
Rasti u denoncua nga emisioni “Stop” në 23 Nëntor 2024 ku si fillim u arrestua babai dhe ishte shpallur në kërkim djali i tij. Ditën e sotme policia ka mundur të arrestojë edhe djalin e shpallur në kërkim.
Po në atë kohë policia shpalli në kërkim djalin e tij, shtetasin D. A., 29 vjeç, për përfshirje në këtë aktivitet të paligjshëm.
Këtë të shtunë të 18 janarit 2025 policia arriti të arrestonte dhe 29-vjeçarin D.A., ndërsa babë e bir, banues në fshatin Tapi, Kuçovë, akuzohen për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi me produktet ushqimore”, kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i Policisë:
Berat/Vijon operacioni policor i koduar “Oil”-Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.
Në vijim të kontrolleve, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Berat, kapën dhe vunë në pranga shtetasin D. A., 29 vjeç, banues në fshatin Tapi, Kuçovë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Oil”, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi me produktet ushqimore”, kryer në bashkëpunim.
Më datë 23.11.2024, pas denoncimit të marrë nga gazetarët e emisionit investigativ “Stop”, shërbimet e Policisë nën drejtimin e Prokurorisë Berat, finalizuan operacionin policor të koduar “Oil”. Gjatë operacionit u arrestua shtetasi A. A., babai i shtetasit D. A.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur një ambient në banesën e tyre ku përgatisnin përzierje të vajrave të ndryshëm dhe produkteve të panjohura, më pas i reklamonin në faqen e Facebook “Vaj Ulliri Bio Jugu”, dhe i shisnin si vaj ulliri bio.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.