Denoncimi i “Stop”, pezullohen nga puna dy policët

Janë pezulluar nga detyra dy punonjës të Policisë Tiranë. Njëri prej tyre ka pranuar para nga një qytetar gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjetit, moment i kapur në kamera dhe i publikuar nga emisioni investigativ “Stop”.

“Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë sapo u njoh me një video të publikuar në faqen zyrtare të emisionit investigativ Stop në Tv Klan, në të cilën shfaqet një patrullë policie, ku një prej punonjësve dyshohet se ka pranuar një kartëmonedhë nga një qytetar gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjetit, menjëherë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht Inspektor M. T, dhe Inspektor Sh. M., me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.5. Në lidhje me rastin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në zbatim të nenit 121 të Ligjit Nr.82, viti 2024 “Për Policinë e Shtetit”, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë për shkelje të rëndë”, thotë Policia.

Për rastin, është vënë në dijeni edhe AMP e cila pritet të nisë me veprimet hetimore.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë dhe çdo paligjshmëri tjetër duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.

Të Fundit