Të martën, Emisioni Stop në Tv Klan denoncoi rastin e kësaj qendre masazhi ku ofroheshin shërbime seksuale. Kjo qendër e quajtur “Smart SPA” ndodhej në një pallat të lokalizuar në qendër të Tiranës.
Përmes një personi të infiltruar dhe të pajisur me kamera të fshehtë, “klienti” hynte brenda kësaj qendre dhe aty bisedonte për tarifat dhe i jepej mundësia që të zgjidhte edhe vajzën që preferonte. 40 mijë Lekë të vjetra paguajti për shërbimin.
Pas “masazhit” në këtë qendër, i infiltruar i emisionit Stop takoi edhe inspektorin e policisë së zonës duke u hequr si banor i pallatit. Punonjësi i policisë tha se ishin në dijeni të rastit, por nuk ishin prova konkrete…
Administratorja, punonjësja dhe një klient përfunduan në pranga për qendrën e masazhit ku ofroheshin shërbime seksuale, në qendër të Tiranës. Rasti, i cili u transmetua vetëm një natë më parë në emisionin Stop në Tv Klan, ishte nën hetim prej disa muajsh nga policia e Tiranës. Kjo e fundit, në një njoftim për mediat tha se në pranga kishte rënë administratorja e këtij ambienti, Selma Hila, 21-vjeçe.
“Hila administronte një qendër masazhesh në rrugën “Luigj Gurakuqi”, në të cilën kishte punësuar shtetasen E. Y., dhe përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtronin dhe aktivitetin e kundërligjshëm të prostitucionit.”
Po ashtu në pranga ra punonjësja 26-vjeçare, si dhe një klient, 25 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë.
Në njoftimin e saj për mediat, policia e Tiranës falenderoi emisionin Stop për denoncimin.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falenderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.”/tvklan.al