Denoncimi i bërë nga emisioni investigativ “Stop” ka shërbyer si pikënisje për një hetim penal të gjerë ndaj një qendre tregtare në Sarandë, ku dyshohet për një skemë të organizuar shkeljesh ekonomike dhe fiskale.
Pas materialeve të paraqitura nga emisioni dhe bashkëpunimit me Prokurorinë e Tiranës dhe sektorin e Krimit Ekonomik, është ushtruar kontroll në ambientet e shoqërisë “Nikaj” sh.p.k. në Sarandë. Kontrolli është kryer me vendim të Gjykatës së Tiranës, në kuadër të një procedimi penal për disa vepra të rënda në fushën ekonomike.
Nën hetim janë administratorët dhe drejtuesit e kompanisë, të dyshuar për “falsifikim dokumentesh”, pasi dyshohet se janë përdorur dokumente financiare dhe tatimore të manipuluara për të fshehur qarkullimin real dhe vendime të asamblesë. Po ashtu hetohen për “fshehje të të ardhurave dhe evazion fiskal”, përmes mosdeklarimit të xhiros reale, shmangies së detyrimeve tatimore dhe moslëshimit të kuponëve fiskalë.
Prokuroria po verifikon edhe veprën e “pastrimit të produkteve të veprës penale”, duke dyshuar se të ardhurat e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm janë futur në qarkullim përmes skemave financiare për të fshehur origjinën e tyre. Gjatë kontrolleve janë ngritur dyshime edhe për tregtim mallrash kontrabandë, pasi janë konstatuar produkte pa dokumentacion të rregullt doganor.
Hetimet përfshijnë gjithashtu dyshime për punësim të paligjshëm, mospagim detyrimesh dhe faliment të provokuar. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se vlera e evazionit të dyshuar mund të arrijë në miliarda lekë, duke e renditur këtë si një nga rastet më të rënda të hetuara së fundmi në jug të vendit.
Policia e Shtetit ka shoqëruar administratorët për veprime procedurale dhe nuk përjashtohen masa sigurie në vijim, në varësi të provave që do të administrohen.
Në fokus të hetimit janë edhe zyrtarë të administratës tatimore në Sarandë. Po verifikohet roli i drejtorit të Tatimeve dhe disa inspektorëve, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe moskryerje të kontrolleve ligjore, çka mund të ketë mundësuar vijimin e aktivitetit për një kohë të gjatë.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur sekuestrimin e dokumentacionit financiar, serverëve dhe pajisjeve elektronike, ndërsa kontrollet janë shtrirë edhe në magazina të tjera të lidhura me aktivitetin tregtar.
Në kuadër të procedimit është përfshirë si i dyshuar edhe një oficer i Policisë Gjyqësore në Sarandë. Sipas materialeve të administruara nga “Stop”, subjekti dyshohet se merrte informacion dhe mbështetje nga oficeri i policisë Klement Bello. Ky pretendim është pjesë e dosjes hetimore dhe pritet të verifikohet nga autoritetet kompetente.
Autoritetet pritet të dalin me njoftim zyrtar pas përfundimit të fazës së parë të hetimeve.



