Një ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e nënkryetarit të Bashkisë së Kavajës, Përparim Çaça, i cili krahas detyrës së lartë, ushtronte dhe profesionin e avokatit, në kundërshtim me ligjin.
Menjëherë pas transmetimit të emisionit mësohet se Çaça ka dhënë dorëheqjen, duke vijuar punën si avokat. Këtë e konfirmoi edhe kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja në një komunikim me gazetarin e emisionit “Stop”.
Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” që shfaqi një ditë më parë shkeljet e Përparim Çaçës:
Qytetari – Kemi hartën e vjetër të komunës dhe atë letrën që na ka dhënë komuna atëherë. Kaq metra me kaq, kjo është prona e gjyshit filan fistekut, tani këta dalin me një pretendim, me një hartë tjetër pak më të re.
Përparim Çaça – Kush janë të tjerët?
Qytetari – Janë të lagjes.
Përparim Çaça – S’është puna e lagjes, sa janë 1, 2, 3? Sa janë? Sa veta janë?
Qytetari – 3… 3!
Përparim Çaça – Nuk e di! Ne jemi në ajër se unë nuk kam as letra, as shkresa, asgjë! Po nuk pashë letrat, po nuk pashë shkresat, kupton? M’i sill këtu dhe unë kam diçka që duhet ta vlerësoj edhe të them të takon, s’të takon sipas gjykimit tim, ë? Unë punoj: Më sill letrat, më sill shkresat t’i shikojmë edhe të them: Zotëri i nderuar, këtë e fitojmë, i hyjmë! Edhe kur i hyj, e di se i hyj se do fitoj, nuk kam kohë për të humbur.
Qytetari – Unë doja të dija a ma merr përsipër si çështje?
Përparim Çaça – Unë do ta marr vetëm kur të shoh letrat! Edhe hartat… hartat nuk është problem se zgjidhen, shikohen.
Qytetari – Po pra, po!
Përparim Çaça – Se unë jam edhe nënkryetar bashkie këtu edhe ato të Luzit atje i marr origjinale ça duhet dhe shohim realisht si janë gjërat.
Qytetari – Fiks pra!
Përparim Çaça – Nuk na ngordh këtu puna, problemi është që të shikojmë mirë gjërat. Në rregull?
Qytetari – Në rregull!
Përparim Çaça – Mirupafshim!
Pas kësaj kamere të fshehtë, ku shfaqej qartë me zë dhe figurë Përparim Çaça duke vijuar aktivitetin e avokatisë, nuk mbeti gjë tjetër veçse të përballej gazetari i emisionit “Stop” me të.
Gazetari – Nënkryetar bashkie me zyrë avokatie, ditë e martë, ora 02:00. Duhet të jesh në orarin zyrtar të punës.
Përparim Çaça – Po, tani po iki atje se isha vetëm thjesht këtu. Këtu nuk jam unë se është një zyrë tjetër, ka ardhur një avokat tjetër.
Gazetari – Ju s’merreni fare me çështje?
Përparim Çaça – Fare, fare! S’kam të drejtë! Absolutisht, është absolutisht është ligji. Absolutisht, nuk ka shanse, as në gjykatë, askund, nuk mundem dot, është me ligj. Absolutisht!
Unë që në momentin që kam qenë nënkryetar bashkie, licenca është e pa mundur! Thjesht kanë ngel ato… se do t’i heq. Absolutisht, mund të shkoni në gjykatë, të shikoni!
Gazetari i emisionit “Stop” u shpreh se sipas burimeve pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, nënkryetari i bashkisë ka kryer pagesën e taksave për vitin 2018, pavarësisht mohimit nga ana e tij për vijimin e aktivitetit si avokat pas marrjes së detyrës si nënkryetar i Bashkisë Kavajë.
Sot, nëpërmjet një telefonate, kryetari i Bashkisë Kavajë, Isa Sakja tha se nënkryetari i këtij institucioni ka dhënë dorëheqjen nga posti publik, duke zgjedhur të vijojë aktivitetin e avokatisë.
“Absolutisht, rasti do shihet me detaje edhe në konform me ligjet, do të marr vendimet e mia. Megjithëse nga ana e zotit Çaça është një reagim që dje dhe ka kërkuar vetë që të largohet”.