Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur dy mjekë gjinekologë ë Maternitetit “Koço Gliozheni”. Sipas njoftimit të Prokurorisë dy mjekët janë marrë të pandehur për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”. Si pasojë e neglizhencës së mjekëve një foshnjë e porsalindur humbi jetën. Gjinekologët janë identifikuar me inicialet E.V. dhe A.H.
Rasti i ndodhur në 27 korrik 2021 në Maternitetin “Koco Gliozheni”në Tiranë është denoncuar nga emisioni “Stop” .Një vajzë e sapolindur humbi jetën pas dy ditësh, pasi gjinekologët përdorën pajisjen e quajtur Forceps, për ta tërhequr bebin.Foshnja u dëmtua në kokë, e pas dy ditësh nuk ia doli.Adelina Zeqiri, nëna e foshnjes, tha, se gjatë shtatzanisë, ishte ndjekur nga doktoresha Aida Hoxha dhe ecuria e saj dhe e fëmijës, ka qenë pa probleme.Meqë bebi ishte mbipeshë, Adelina me mjeken kishin vendosur, që lindja të bëhej me operacion. Por të resë i nisën dhimbjet më shpejt, ndaj shkoi në maternitet. Mjekja e saj nuk ishte në turn dhe e delegoi Adelinën te kolegu i saj Ervis Vata. Atë ditë e reja u la pa asnjë ndërhyrje nga stafi mjeksor. Të nesërmen, kur erdhi doktoresha, që kishte ndjekur Adelinën, kjo e fundit ishte shumë e lodhur nga dhimbjet për të lindur vetë, apo për të përballuar operacionin.Në këtë pikë, doktoresha Aida Hoxha, i bëri narkozë dhe e nxorri bebin përmes Forcep-sit, një pajisje metalike si lugë.Pasi foshnja humbi jetën, cështja u referua në Komisariatin numër 1, pasi familjarët akuzuan stafin e Maternitetit, për humbjen e fëmijës.OPGJ Sokol Collaku kërkoi menjëherë kryerjen e autopsisë së foshnjes nga Instituti i Mjeksisë Ligjore.
Nga aktet e ekspertimit u zbuluar se vdekja e foshnjës erdhi si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit, një mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira. Mosndërhyrja e mjekëve rezultoi fatale për fëmijën e sapolindur.
“Prokuroria e Tiranës merr të pandehur 2 mjekë gjinekologë për ‘Neglizhëncë në trajtimin mjekësor’, mosveprimi në kohë çoi në humbjen e jetës së të sapolindurës. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe merr të pandehur dy mjekë gjinekologë të Maternitetit ‘Koço Gliozheni’, shtetasit E.V. dhe A.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’, parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të realizuar mbi procedimin penal nr.6713, të regjistruar pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A.Z. pasi humbi foshnjën e saj gjatë procesit të lindjes, dhe nga aktet e ekspertimit doli qartë se vdekja e foshnjës erdhi si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes, të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit, një mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira, kur lindja natyrale nuk përparon ose kur është tepër vonë për ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore, dëmtimet që çuan në shok traumatik hemorragjik të foshnjës, nuk janë pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rrjedhojë direkte e mungesës së ndërhyrjes në kohë, që do të kishte shmangur përdorimin e forcepsit nëse lindja do të ishte bërë me seksio cezarian, siç ishte planifikuar paraprakisht.
Mosveprimi i të pandehurve, mjekes që u kujdes në procesin e shtatëzanisë si dhe mjekut roje të gatshëm, në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale, kanë qenë faktori vendimtar që çuan në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një fëmije të sapolindur”, njofton Prokuroria.
								
															



