Pas denoncimit nga emisioni investigativ “Stop,” dy zyrtarë të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore në Durrës (ISSH), drejtori juridik Isa Sejko dhe arshivistja Ardiana Nazexhi, janë arrestuar për mitmarrje. Përmes një kamere të fshehtë, emisioni “Stop” dokumentoi momentin kur juristi Sejko pranoi një ryshfet prej 500 mijë lekësh të vjetra nga një qytetar që po përgatiste dosjen për pension invaliditeti.
Qytetari, Vladimir Bajlozi, banor i Sukthit, kishte hasur vështirësi për të gjetur vitet e punës që i mungonin për periudhën 1985-1994 dhe iu drejtua ISSH-së Durrës për ndihmë. Pasi iu sugjerua të konsultohej me juristin, ai mori kontakt me Sejkon, i cili i kërkoi ryshfet për të zgjidhur çështjen pa qenë nevoja të ndiqej procesi gjyqësor.
Bajlozi vendosi të denoncojë rastin tek emisioni “Stop.” Prokurorja e Durrësit, Englantina Shehu, pas trasmetimit të kamerës së fshehtë nga “Stopi”, nisi ndjekjen penale dhe urdhëroi arrestimin e zyrtarëve, vendim i cili u ekzekutua nga policia e Durrësit. Nesër, të dy zyrtarët do të dalin para gjykatës, ku prokuroria do të kërkojë masën e sigurisë për ta.