Dënohet me burg “Sulejmani i Madhërishëm”

Besojmë të gjithë e njihni aktorin e famshëm turk Halit Ergenc, sidomos për rolet e tij te “Sulejmani i Madhërishëm” apo “1001 netë”. Ergenc është dënuar me burgim me kusht nga një gjykatë në Stamboll, për një dëshmi të rreme që ai ka dhënë lidhur me protestat kundër urbanizimit të Gezi Park, në 2013-ën.

Sipas mediave turke, aktori akuzohet për “përpjekje për të përmbysur qeverinë turke” dhe “pengim të funksioneve të saj”. Çështja ndaj tij u hap vite pasi Ergenc sëbashku me aktorin Riza Kocaoglu (të cilin e kemi parë te seriali i njohur Çukur) kanë mbështetur protestat e bujshme në Turqi.

Gjatë dëshmisë së tij, Ergenc kishte mohuar lidhje me organizatorët e protestës, Memet Alabora dhe Ayşe Barım. Megjithatë, hetuesit gjetën prova për të kundërtën, madje dhe pamje të pjesëmarrjes së tij në këto protesta.

Ergenc u dënua me një vit, 10 muaj e 15 ditë burg, por gjykata theksoi se ai nuk do e vuajë këtë dënim, deri në kryerjen e një vepre të re penale.

Vendimi ka shkaktuar reagime në rang ndërkombëtar, ku organizata Amnesty International ka kërkuar rrëzimin e menjëhershëm të akuzave dhe lirimin e të gjithë të burgosurve lidhur me protestat e para 12 viteve.

Të Fundit