Gjykata e Posaçme ka dënuar me 9 muaj burg Fatos Lulon, ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, që akuzohet për refuzim për deklarim, mosdeklarim ose fshehje pasurie.
GJKKO vendosi që këtë dënim ta konvertojë në 80 orë pune në komunitet.
Prokuroria e Posaçme kërkoi 1 vit burg për ish-gjyqtarin e Kushtetueses Fatos Lulo dhe kërkoi që ky dënim të konvertohej në 2 vite shërbim prove.
Sipas organit të akuzës, Lulo ka bilanc negativ të të ardhurave në dy pasuri, një apartament në Tiranë dhe në një zyre 172 m2 e deklaruar si e dhuruar në Rrugën e Durrësit.
Gjyqtari Kushtetues u shkarkua nga shkalla e parë e vetingut më 23 mars 2018, vendim i lënë në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Atij i është sekuestruar një dyqan me sipërfaqe 172 m2 në Tiranë.
Ish-gjyqtari ka deklaruar se dyqanin në Rrugën e Durrësit në Tiranë, me vlerë 120 mijë euro, ia ka bërë dhuratë motra. Kjo e fundit, sipas tij, i ka dhuruar edhe 100 mijë euro, ndërsa ka marrë hua edhe 480 mijë euro.
Por, komisionet e Vetingut konstatuan se motra e Fatos Lulos nuk ka pasur të ardhura të ligjshme financiare për të blerë dhe më pas dhuruar dyqanin me vlerë 120 mijë euro.