“Dëmi nga zjarret këtë verë, rreth 325 mln euro”- Eksperti i Sigurisë: Situata në Shqipëri, kambanë alarmi, mungon infrastruktura dhe mbështetja për zjarrfikësit

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, ka ngritur alarmin për situatën e zjarreve që po përfshin vendin gjatë kësaj vere, duke deklaruar se dëmet e shkaktuara kapin vlerën e 325 milionë eurove, ndërsa institucionet nuk po marrin masa efektive për parandalimin e tyre.

I ftuar në media Softa tha se përsëritja e situatës çdo vit është e papranueshme dhe kërkon organizim të ri dhe të centralizuar në nivel kombëtar.

“Klima ka ndryshuar shumë. Shqipëria po përballet prej vitesh me zjarre masive. Nuk është më një rastësi. Në vend që të përpiqemi t’i fikim me vonesë, duhet të fokusohemi te parandalimi,” deklaroi Softa.

Eksperti vuri në dukje se përveç dëmeve ekonomike të mëdha, zjarret kanë shkaktuar dëmtime serioze të pasurisë natyrore dhe njerëzore – përfshirë djegien e pyjeve, kullotave, pemëve frutore, bagëtive, shtëpive dhe në disa raste edhe humbje jete.

“Kjo është një kambanë e madhe alarmi për një vend si Shqipëria. Dëmi është i jashtëzakonshëm – 325 milionë euro vetëm këtë verë. Duhet një qendër kombëtare për menaxhimin e emergjencave të tilla,” theksoi ai.

Softa gjithashtu denoncoi mungesën e infrastrukturës dhe mbështetjes për punonjësit zjarrfikës, duke shtuar se shpesh zjarret janë rezultat i zjarrvënies së qëllimshme.

“Problemi më i madh është te zjarrvënësit. Ka motive të ndryshme, por shqetësues janë përsëritësit. Duhet kontroll dhe ndjekje ndaj tyre, sepse është më mirë të parandalosh sesa të analizosh më pas dëmet,” përfundoi Softa.

Të Fundit