Edhe këtë vit, situata e njohur është përsëritur: teza e provimit të anglishtes është publikuar në rrjetet sociale vetëm 30 minuta pas nisjes së testit të Gjuhës së Huaj.
Nëdisa rrjete sociale është shpërndarë variantin B i testit, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe transparencën e procesit të Maturës Shtetërore.
Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit e cila thekson se publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk përbën shkelje dhe nuk cenon integritetin e procesit. Në reagimin e saj, MAS deklaron:
“Provimi po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe në përputhje të plotë me Rregulloren e Maturës.”
“Publikimi i tezës pas nisjes së provimit nuk ndikon në ecurinë e testimit
“Akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës së lëndës gjuhë e huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe nuk mund të hedhë poshtë punën e palodhur të mijëra mësuesve, administratorëve dhe punonjësve të strukturave arsimore në të gjithë vendin, që kanë punuar prej muajsh me përkushtim për mbarëvajtjen e këtij procesi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.
Ndërkohë, provimi po zhvillohet në të gjithë vendin dhe do të zgjasë deri në orën 12:30.
Ngjarje të ngjashme janë raportuar edhe në vitet e mëparshme, ku tezat janë bërë publike gjatë kohës që maturantët i janë nënshtruar provimeve.
Rreth 27 mijë maturantë në të gjithë vendin po i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore për Gjuhën e Huaj. Ky është i pari nga katër provimet e detyruara të maturës, i cili do të pasohet nga:
Gjuha Shqipe dhe Letërsia më 10 qershor
Matematika më 17 qershor
Provimi me Zgjedhje më 24 qershor
Ministria ka theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit dhe rolin e qindra mësuesve e administratorëve në garantimin e një maturë të rregullt dhe të drejtë.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron maturantët, prindërit, mësuesit dhe gjithë publikun e gjerë se provimi i gjuhës së huaj, i Maturës Shtetërore 2025, po zhvillohet në kushte të plota sigurie dhe në transparencë të plotë, sipas rregullores në fuqi duke garantuar standardet më të larta të testimit për 27 mijë maturantët në të gjithë Shqipërinë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron maturantët, prindërit, mësuesit dhe gjithë opinionin publik se provimi i parë i Maturës Shtetërore 2025, gjuha e huaj, po zhvillohet sipas standardeve më të larta të sigurisë dhe transparencës, në përputhje me Rregulloren e Maturës Shtetërore.
Akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës së lëndës gjuhë e huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe nuk mund të hedhë poshtë punën e palodhur të mijëra mësuesve, administratorëve dhe punonjësve të strukturave arsimore në të gjithë vendin, që kanë punuar prej muajsh me përkushtim për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon me forcë çdo akt që synon të dëmtojë besueshmërinë dhe integritetin e Maturës Shtetërore, duke theksuar se çdo përpjekje për të prishur mbarëvajtjen e procesit të provimeve do të trajtohet me rigorozitet, sipas rregullores në fuqi.
Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron se provimi po zhvillohet me standardet më të mira, duke i dhënë mundësi maturantëve të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e përfituara gjatë viteteve të studimit.
Këto standarde janë garantuar nga strukturat arsimore në çdo hallkë të procesit: Nga hartimi i testeve me profesionalizëm dhe siguri të plotë, deri te përgatitja dhe certifikimi i personelit administrativ. Janë kryer konsultimet në shkolla, testet model të shpërndara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore që në muajin janar, zhvillimi i para-testeve në shkolla si dhe mbështetja psikologjike për përballimin e stresit të provimeve, si masa që kanë shoqëruar përgatitjen për Maturën 2025.
Kemi forcuar vit pas viti edhe elementët teknikë të kontrollit, përfshirë kamerat e sigurisë, rregullat për hyrje-daljet dhe standardet e administrimit, duke synuar një ambient të qetë dhe të përshtatshëm për çdo nxënës.
Për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, prioritet mbetet suksesi i çdo maturanti dhe e drejta e gjithësecilit për të zhvilluar provimin në kushte të barabarta. Për këtë arsye, angazhimi ynë do të vijojë i pandalshëm për të garantuar një proces të drejtë dhe të ndershëm.