Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ishte i ftuar këtë të mërkurë në studion e emisionit “Opinion”. Meta u pyet në lidhje me deklaratën e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri për helenizimin e Himarës. Meta tha se lajmi ka dalë nga ‘kuzhina e Ramës’.
Blendi Fevziu: Çfarë ndodh, duket një deklaratë paksa e çuditshme. Besoj se e keni, por po ua vë edhe unë. Është jetike për helenizimin e Himarës dhe duhet të lehtësojmë rrugën e helenizimit. Ç’punë kanë partitë politike greke njëherë në zgjedhjet lokale në Shqipëri?
Ilir Meta: Jam shumë dakord me ju. Tani kam një pyetje për ju. Nxirreni dhe përgënjeshtrimin që ka dhënë zoti Beleri.
Blendi Fevziu: E thashë pra. Thotë që është një përkthim jo i drejtë. Që partitë politike greke janë të gjitha në ndihmë të tij?
Ilir Meta: Po mirë pra po ç’punë ka Edi Rama që ndërhyn në zgjedhjet në Mal të Zi. Ç’punë ka Edi Rama që ndërhyn në Turqi? Gabim e kanë edhe partitë greke që ndërhyjnë në Shqipëri. Ne kemi rastin e këtij tani. Ky është një lajm i shpikur nga kuzhina e Fugës dhe e Ramës sepse ai është i tmerruar që do ta humbasë Himarën siç është i tmerruar edhe për Sarandën. Nuk ka çfarë i bën as Beleri e askush Himarës, përkundrazi, Beleri ka vetëm një detyrë. Të mbrojë pronat e gjithë himariotëve, që nga Petrit Vasili që është nga Vunoi. Kudo sepse Edi Rama nuk ka problem as helenizimin, se e dimë çfarë patrioti është Edi Rama. E dimë si e shkeli Gjykatën Kushtetuese për çështjen e detit me Greqinë. Ai ngaqë është i tmerruar nga humbja e Himarës, nga humbja e gjithë qarkut të Vlorës përfshirë edhe Sarandën ku ai del i treti…
Më herët në lidhje me këtë deklaratë të Belerit reagoi edhe kryeministri Edi Rama. Ai e konsideroi kandidatin e “Bashkë Fitojmë” si shëmbëlltyrë të skutave më të errëta.
Kujtojmë se në një intervistë për mediat greke, Beleri pyetjes së gazetarit se çfarë do të bëjë për helenizimin e Himarës i përgjigjet se “është jetike për helenizimin e Himarës që t’i tejkajojë pengesat që e ndalojnë të ketë mundësi dhe se zgjedhja e tij do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë”.
Fredi Beleri ka reaguar këtë të mërkurë me anë të një deklarate, duke mohuar që të ketë thënë fjalën helenizim dhe duke sqaruar se disa media kanë bërë përkthim të gabuar, pasi ai ka përmenduar togfjalëshin “komunitet grek”