Dasmorët penguan qarkullimin në “Unazën e Madhe”, procedohen penalisht dy persona, një tjetër shpallet në kërkim

Dy persona janë proceduar penalisht dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi më datë 24 gusht ndaluan automjetet e dekoruara për një ceremoni martesore në “Unazën e Madhe”, duke bllokuar qarkullimin.

Policia ka nisur kontrolle për identifikimin dhe ndëshkimin e të gjithë të përfshirëve në këtë ngjarje, si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve të përdorura, të cilët rezultojnë të marra me qira.

Njoftimi i policisë:

Penguan qarkullimin në Unazë të Madhe, pasi ndaluan automjetet e destinuara për ceremoni martesore, procedohen penalisht 2 shtetas dhe punohet për shoqërimin e personit të tretë.

Vijojnë kontrolle për kapjen dhe identifikimin e drejtuesve të 4 automjeteve të tjera, të përfshirë në këtë rast.

Gjithashtu, punohet për sekuestrimin e automjeteve, të cilat nga verifikimet e deritanishme rezultojnë të marra me qira.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, si rezultat i administrimit të disa pamjeve filmike të publikuara më datë 24.08.2025, në të cilat shfaqeshin disa automjete të dekoruara për ceremoni martesore, të ndaluara në Unazë të Madhe, të cilat kishin penguar qarkullimin në këtë aks, kanë mundësuar identifikimin e disa prej shtetasve të implikuar në këtë paligjshmëri.

Konkretisht, u identifikuan 3 shtetas, E. D., 36 vjeç dhe D. M., 22 vjeçe, për të cilët nisi procedimi penal në gjendje të lirë, dhe Xh. A., 28 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Punohet për kapjen e tij.

Më tej, vijojnë verifikimet dhe kontrollet, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të 4 shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast, si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve të përdorura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia e Shtetit apelon sërisht, për të gjithë qytetarët, që të respektojnë rregullat e qarkullimit në rrugë dhe të mos pengojnë lëvizjen normale të përdoruesve të rrugës, pasi do të përballen me ndëshkimet që parashikon Kodi Penal.

 

Të Fundit