Dasma me tarifë: Çifti kërkon 400 euro nga çdo i ftuar, ngelin vetëm në ceremoni

Çifti në Houston, Texas, u gjend vetëm në ceremoninë e tyre pasi vendosën një tarifë pjesëmarrjeje. Shpërthimi i dhendrit në TikTok: «Shpenzoni një sasi të madhe parash për gjëra të kota, por jo kur vjen puna për të mbështetur miqtë ose familjen».

Ka ata që zgjedhin të bëjnë dasmën në McDonald’s për të mos shpenzuar shumë dhe ata që, për të mbuluar kostot e ceremonisë, kërkojnë ndihmën e të ftuarve. Ky është rasti i një çifti amerikan që për të organizuar dasmën e ëndrrave vendosi të shesë bileta për të marrë pjesë, ashtu si në një spektakël.

Ngjarja

Listat e dhuratave janë tashmë një kujtim i largët. Çiftet e sotme shpesh preferojnë të marrin nga të ftuarit kontribute në para, qoftë për të mbuluar shpenzimet e festës, për të përballuar një udhëtim, për të blerë pajisje shtëpiake ose për të përmbushur nevoja të tjera. Zakonisht, shumica e dhuratave janë shumë të ndryshme dhe secili i ftuar kontribuon sipas mundësive të veta. Megjithatë, në dasmën e Hassan Ahmed dhe të fejuarës së tij, 23 vjeç, gjërat shkuan ndryshe. Çifti texan, nga Houston, kërkoi nga të ftuarit të paguanin 450 dollarë (rreth 400 euro) për të marrë pjesë në ceremoninë. Rezultati? Për shkak të shumës së lartë, dhe më e rëndësishmja, të detyrueshme, askush nuk shkoi në festë. «Të gjithë ata që kemi ftuar e refuzuan ftesën», ka thënë Ahmed në rrjetet sociale.

Shpërthimi në TikTok

Nuk është e vështirë të imagjinosh zhgënjimin e çiftit, të cilët mbetën vetëm në “ditën e tyre të veçantë”. Menjëherë pas ngjarjes, Hassan Ahmed kërkoi mendimin e komunitetit në TikTok. Në profilin e tij me 6 mijë ndjekës, ai postoi një video ku tregon se çfarë ndodhi (të paktën nga këndvështrimi i tij). «Më thoni pse të gjithë ata që kemi ftuar e refuzuan ftesën», i kërkoi Ahmed ndjekësve të tij. Sipas tij, ai dhe e fejuara e tij kishin shpenzuar rreth 200 mijë dollarë (rreth 180 mijë euro) për ceremoninë, duke paguar për kostumet, DJ-në, tortën, fotografin, etj. Kështu, ata menduan se ishte e drejtë që të ftuarit të kontribuonin me një lloj bilete, ashtu si në një koncert. «Ajo që nuk kuptoj është se të gjithë ju shpenzoni 400 dollarë dhe më shumë për gjëra të kota, por nuk vini të mbështesni miqtë tuaj ose familjen në ditën e martesës», vazhdoi i riu. Në fund të videos, Ahmed bën një apel për ndjekësit e tij, duke i ftuar ata të komentojnë: «Dua me të vërtetë të di si mendoni ju». Në këtë moment, komentet nën postim janë fikur, gjë që sugjeron se ato nuk ishin aq pozitive.

Të Fundit