“Daja im u kërcënua”, Shabani i ashpër me Lapajn: Tiku e drodhi pas zgjedhjeve

Duket se tashmë kemi një përplasje të ashpër në distancë mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, pas refuzimit të kandidatit Zeqir Kordhoni për t’u dorëhequr nga mandati i tij në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Në një postim të ri, Shabani ka akuzuar ashpër Lapajn, ndërsa shkruan se daja i tij, Zeqir Kordhoni, është kërcënuar me jetën e fëmijëve:

“Unë nuk kam qenë dakord me sjelljen e tij, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët, mendoj që Zeqiri ka bërë shumë mirë që i ka dalë përballë dhe i ka prerë rrugën”, – shkruan Shabani.

Shabani thotë se ky mandat i Nismës Shqipëria Bëhet nuk ka qenë kurrë i Adriatik Lapajt dhe se, pa votat e Nismës Thurje dhe të tijat personale, Adriatiku nuk do të arrinte të merrte mandat deputeti, pavarësisht se “Tiku”, thotë ai, është mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve.

Gjithashtu, Shabani shkruan se, kur Lapaj s’mban përgjegjësi për veprimet e tij, si mund të mbajë ai përgjegjësi për dajën e tij ndërsa thumbon Lapajn duke shkruar se: “Adriatikun nuk e karakterizoi burrëria, pasi kishte thënë se nëse koalicioni do merrte vetëm një mandati, ai nuk do të shkonte vetë në Parlament”.

“Adriatiku ndryshoi mendim më pas” – dhe në këtë rast, Shabani thotë se daja i tij po e ndihmon Lapajn të bëhet burrë:

“Pas zgjedhjeve, Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin,” shkruan Shabani.

Deklarata e plotë e Endri Shabanit:

“Ndjej keqardhje nga deklarata e Tikut, ku më shpall mua armikun e klasës. Duhet ta kisha menduar se pas Arlindit dhe Agronit, kisha mbetur vetëm unë nga fronti i të rinjve.

Gjithsesi për interes publik, dua të sqaroj tre gjëra.

E para, mandati i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ nuk ka qenë kurrë i Adriatikut. Unë e di që Tiku është mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve, por pa votat e Nismës Thurje apo pa votat e mia, Adriatiku nuk do të ishte bërë kurrë deputet!!!

Në këto zgjedhje, për të marrë një mandat në Tiranë duheshin 13 500 vota. Adriatiku ka marrë 6 436 vota. Kështu, ato 7 000 vota të tjera janë marrë nga kandidatë të tjerë.

E dyta, Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë. Në këto zgjedhje ka patur vetëm një njeri që ka shpallur publikisht një angazhim përballë aktivistëve dhe votuesve, dhe ai është lideri i koalicionit. Me zë dhe me figurë, në disa media, Adriatiku është zotuar publikisht se, nëse fitonim vetëm një mandat, ai mandat nuk do t’i takonte atij. Kjo deklaratë shërbente për të motivuar aktivistët që të punonin për interesin e përbashkët, dhe jo për të bërë Tikun deputet. Pas zgjedhjeve, Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin.

Duke besuar që ‘burri mbahet nga fjala’, Zeqiri e ka ndihmuar Adriatikun të mbajë fjalën dhe t’ia kalojë mandatin dikujt tjetër nga partia e tij.

E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për veprimet e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim? Prej kohësh kemi pranuar që përgjegjësia është individuale. Zeqiri është 60-vjeç, burrë, dhe nuk mund të përdoret as nga unë, as nga Adriatiku. Ai ka dinjitetin e vet, dhe kur pa që Adriatiku po luante lojra, kërkoi t’i tërhiqte vëmendjen. Por kur u përball me kërcënime ndaj fëmijëve të tij, ai shkoi një hap më tej.

Unë nuk kam qenë dakord me sjelljen e tij, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët, mendoj që Zeqiri ka bërë shumë mirë që i ka dalë përballë dhe i ka prerë rrugën. Në fund të fundit, për 100 vite ne kemi patur politikanë që vrisnin për pushtet; nuk na duhet të rrisim të rinj,” shkruan Endri Shabani.

Të Fundit