DailyMail shkrim për Kukësin: Adoleshentët zotohen se do ikin në Britaninë e Madhe se s’ka punë

­

Migrimi masiv ka bërë që Kukësi dhe fshatrat malorë përreth tij të etiketohen ‘qytetet fantazmë’ pasi shumë të rinj dhe familje janë larguar. Rajoni në Shqipërinë verilindore pranë kufirit me Kosovën ka përqindjen më të lartë të popullsisë që jeton ilegalisht në MB ose kërkon azil, krahasuar me çdo zonë tjetër të vendit ish-komunist”. Kjo është një pjesë e shkrimit që DailyMail i ka kushtuar emigracionit të paligjshëm në Shqipëri drejt Britanisë së Madhe, specifikisht Kukësit.

Shkrimi vijon më tej me një nismë të qeverisë Britanike për të bindur shqiptarët që të kthehen në atdheun e tyre.

“Kryebashkiaku i ri i Kukësit është zotuar të shpenzojë një pjesë të madhe të parave të Mbretërisë së Bashkuar për të bindur njerëzit që të kthehen duke ofruar zbritje taksash dhe grante për të ngritur biznese që lidhen me turizmin, të cilat ai i sheh si çelësi për të nxitur ekonominë e rajonit.

Mirëpo një hetim i MailOnline ka zbuluar se shumë adoleshentë duken të pa impresionuar nga masat dhe ende duan të shkojnë në Britani sa më shpejt që të munden, sepse besojnë se do të jenë në gjendje të gjejnë punë lehtësisht dhe të fitojnë shumë më tepër atje”, thuhet në shkrim.

Ato sjellin historinë e një të riu, të quajtur Dardan, i cili dëshiron me çdo kusht që të largohet të Britanisë së Madhe.

“Një djalë 15-vjeçar i quajtur Dardan, i cili ishte me miqtë në kafenenë Costa në Kukës, me emrin e zinxhirit të kafeneve në Mbretërinë e Bashkuar, u zotua se do të përpiqej të shkonte në MB sapo të mbaronte shkollën e mesme në korrik.

Ai tha: “Në Shqipëri nuk kemi punë apo vend pune. Është një vend i varfër. Unë thjesht dua të shkoj në Angli sepse e di gjuhën. Unë kam anëtarë të familjes nga ana e nënës dhe babait, të cilët tashmë janë atje. Ndoshta do të arrij atje me një kamion ose me varkë. Do të më kushtojë mijëra euro, por mund t’i marr paratë hua dhe t’i kthej duke punuar. Dua të punoj në Angli si elektricist.

Unë e kam mësuar zanatin nga xhaxhai im elektricist. Të gjithë miqtë e mi mendojnë në të njëjtën mënyrë. Ne nuk shohim të ardhme për ne këtu. Prindërit e mi e kuptojnë, por ata thonë që më parë duhet të mbaroj shkollën. Ka vetëm mundësi më të mira në MB. Këtu, ju nuk mund të bëni asgjë.

Nëse më duhet të kërkoj azil, do t’u them se kam një shtëpi shumë të vjetër, prindërit e mi nuk punojnë dhe kam një vëlla të sëmurë. Nëse më kthejnë, do të provoj përsëri. Nuk dua të dëgjoj njerëzit që përpiqen të më bëjnë të qëndroj. Unë thjesht dua të shkoj”, thotë Dardani.

Njëjtë si Dardani, mendon edhe Fjoli Zhubi, 17 vjeç.

“Prindërit e mi nuk duan që unë të shkoj, por nuk do të kem zgjidhje nëse nuk gjej punë. Shanset e mia për të gjetur punë këtu janë vetëm 50/50 sepse ekonomia nuk është e mirë. Rreth 80 për qind e njerëzve që mbarojnë shkollën këtu mbeten të papunë.

Nëse është e mundur, do të përpiqem të aplikoj për një vizë për të shkuar legalisht në MB, por mund të më duhet të paguaj për të hipur në një kamion. Unë kam të afërm në Angli dhe e di që do të gjej punë atje”, tha ai.

Musli Llehsi, 60 vjeç, i cili zotëron hoteli Amerika në Kukës, tha: “Jam shumë i shqetësuar. Nuk gjej njerëz që të punojnë për mua. Të gjithë ish-kamerierët e mi janë në MB ose Gjermani”

Shifrat zyrtare tregojnë se numri i shqiptarëve që kërkonin azil në Britaninë e Madhe u rrit në afro 16,000 vitin e kaluar – më shumë se numri i përgjithshëm për pjesën tjetër të Evropës – me shumicën që mbërrinin me varka të vogla.

Të Fundit