Ilir Çami është personi i cili paraditen e kësaj të mërkure goditi me thikë Manderina Çelën në afërsi të vendit të quajtur “Trekëndëshi” në qytetin e Korçës.
E plagosura ndodhet në spitalin rajonal të Korçës, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autori është arrestuar nga forcat e komisariatit të Korçës.
Burime bëjnë me dije se Çami ka qenë i arrestuar më parë për përndjekjen e kësaj shtetaseje në vitin 2022, pasi kërkonte rikthimin e një marrëdhënieje jashtëmartore që kishte pasur më herët me të.
Në një prononcim për media, e ëma e Manderina Çelës tha se autori e kishte ndjekur edhe pse e dinte se ajo ishte e martuar.
“Futeni brenda e mos e nxirrni më. Çupa e sëmurë. Çupa është e martuar, ka burrë, ka fëmijë. Kishin një muhabet më parë. Ishte në burg më parë ai, por e nxorën.
Çupa ime shkonte në spital, kishte të sëmurë. Ishte një burrë se do ta vriste çupën ai. Vajza kishte frikë të shkonte në Korçë, sepse ai e ndiqte.
Ajo ka 3 fëmijë, burrin e ka në Greqi, ai e bezdiste. Çupa do vdiste po mos e ndihmonin të tjerët. Ai e ndiqte pas.
Dje vajti në spital, ai e kishte ndjekur pas, ajo i kishte thënë ‘ik, se do lajmëroj policinë’, ai nuk iku. Sot e goditi,” tha e ëma.