Çuçi: Do të rikthejmë kamerat e trupit për policët dhe do të investojmë 7.6 herë më shumë në teknologji

Duke folur në konferencën përmbyllëse të projektit “Forcimi i Policimit në Komunitet” i financuar nga qeveria suedeze, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi se sot Policia e Shtetit është një ndër institucionet më të besueshme në vend dhe se indeksi i pëlqyeshmërisë së qytetarëve ndaj punës së policisë ka pësuar një rritje domethënëse nga 36% në vitin 2013 në 59% në vitin 2022.

“Ky është një fakt që tregon se të gjithë përpjekjet tona duket që janë shpërblyer. Kjo s’mund të arrihej pa partnerë si qeveria suedeze përmes këtij projekti”, deklaraoi ministri Çuçi.

Në vijim ai përmendi të tjera arritje të punës së Policisë së Shtetit sidomos përmes shfrytëzimit të avantazheve që krijon teknologjia

“Kemi kaluar nga patrulla policie që të ndalonin ndonjëherë edhe pa shkak, në përdorimin e radarëve automatikë dhe makinave inteligjente duke ulur kështu kontaktin e qytetarit me punonjësin e policisë që në shumë raste ishte edhe burim ryshfeti. Së shpejti do të kalojmë në njoftimin elektronik të menjëhershëm të qytetarit në rast shkeljeje dhe do të vijojmë investimet në teknologji e pajisje dixhitale për të rritur cilësisht punën e Policisë. Vetëm vitin e ardhshëm kemi parashikuar 7.6 herë më shumë investime në Teknologji në Policinë e Shtetit”, tha ministri Çuçi.

Ai foli më tej për ngritjen e Këshillave Vendorë për Sigurinë Publike dhe fushatat e ndërgjegjësimit nëpër shkollat e vendit.

“Pavarësisht këtyre arritjeve me ndihmën edhe të programit suedez, ne jemi në një përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar punën e policisë, rritjen cilësore të shërbimit që ajo i ofron publikut, një zbatim tërësor të filozofisë së policimit në komunitet. Në objektivat tona është shtrirja e përdorimit të kamerave të trupit për punonjësit e patrullave të policisë. Kjo do të rrisë më tej transparencën në punën tonë gjatë kontakteve me publikun, rritjen e cilësisë së shërbimit dhe evidentimin e rasteve të mundshme të abuzimeve. Dëshirojmë t’i japim një zhvillim të mëtejshëm Komisariatit Dixhital, si një formë që ka rezultuar e suksesshme për raportimin e shkeljeve nga qytetarët”, u shpreh Ministri i Brendshëm.

Të Fundit