Një vit që prej fillimit të pandemisë së COVID-19 në vendin tonë shifrat e të infektuarve vijojnë të mbeten të larta.
Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, këtë të martë ka folur për situatën e pandemisë në vend, rastet e reja dhe respektimin e masave të Covid-19.
“Virusi ka shumë të panjohura. Në fillimet e tij kishte më shumë frikë dhe pasiguri, pasi nuk kishim informacion se çfarë do të ndodhte”, tha Pipero.
Më pas Pipero foli nëse duhej të ashpërsohen masat anti-Covid. Pipero tha se është me rëndësi që të kufizohen lëvizjet në fundjavë, duke shtuar se ai nuk mendon për mbyllje të vendit.
“Për mua duhet të ndalohet udhëtimi jashtë Tirane. Në fundjavës duhet të ketë një ndalim të kalimit nga një rajon tek tjetri, pasi mbipopullimi i lokaleve sjell transmetim të Covid-19. Po ashtu duhet të respektohen masat aktuale. Unë mendoj që lokalet të zbatojnë masa strikte dhe po të respektohen masat aktuale dhe të kufizohen lëvizjet në fundjave, mund të frenohet edhe përhapja e virusit. Për mua si mjek, indikator kryesor nuk është numri i rasteve të infeksioneve, por numri i rasteve që shtrohen në spital. Numri i atyre që shtrohen në spital është real, i rasteve të rënda, i atyre që humbasin jetën këto janë indikatorë që mua si mjek më shqetësojnë”, sqaroi ai.
Më tej Pipero u shpreh se qytetarët ende sot e kësaj ditë duhet të ruajnë vigjilencës, pasi rreziku mund të shfaqet ngado dhe me përhapjen e mutacioneve të reja është mjaft shqetësuese.
“Numri më i madh i virozës është në ditën e parë. Ditët e para të transmetueshmërisë janë shumë të rrezikshme. Por nuk duhet neglizhuar edhe variantet e reja pasi janë shqetësuese. Theksoj se maskat nuk duhen lëshuar nga dora, po ashtu edhe distanca, pasi nuk mund ta dimë se me çfarë varianti mund të përballemi nesër”, tha Murtezani.