Qytetarët në Britani do të jenë të detyruar me ligj që të vetizolohen nëse rezultojnë pozitiv me COVID-19, duke rrezikuar gjoba të majme në rast se shkelin rregullat, ka njoftuar së fundmi qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Gjobat fillojnë nga 1 mijë paund e mund të kapin shifrën 10 mijë paund.
Gjobat më të larta do të jenë për shkelësit përsëritës apo për “shkelje të rënda”.
Këtu përfshihen edhe pronarët e bizneseve që nuk i japin leje punonjësve të tyre për t’u izoluar.
“Ata që zgjedhin që të injorojnë rregullat do të përballen me gjoba të larta. Duhet të bëjmë ç ‘është e mundur për të kontrolluar përhapjen e virusit, për të shmangur infektimin e personave më të rrezikuar dhe për të mbrojtur jetët e qytetarëve si dhe të stafit mjekësor”, tha kryeministri Boris Johnson përmes një deklarate.
Qytetarët që rrezikojnë të humbasin të ardhura pasi janë në vetizolim e nuk mund të punojnë nga shtëpia do të marrin 500 paund, thuhej më tej në deklaratën e qeverisë.
Qytetarët që kanë simptoma të virusit apo që kanë rezultuar pozitivë duhet të vetizolohen për të paktën 10 ditë, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes.
Mos qëndrimi në shtëpi i personave të sëmurë është cilësuar si një ndër shkaqet për rritjen e numrit të rasteve.
Zyrtarët britanikë shpresojnë të shmangin një valë të dytë të COVID-19 teksa virusi po përhapet me shpejtësi në disa vende të Europës.
Mbretëria e Bashkuar regjistroi 4,422 raste të shtunën, një rritje e konsiderueshme në krahasim me shifrat që u raportuan në korrik.